Personat me shikim të dëmtuar kërkojnë më shumë qasje dhe mbështetje nga shteti

15.10.2026 17:51

Mungesa e shkopit të bardhë, shtigje të rrugëve...

Mungesa e shkopit të bardhë, shtigje të rrugëve, semaforë funksional me zë, trotuaret e uzurpuara, janë disa nga kushtet që shteti duhet t’i plotësojë me qëllim që t’ua lehtësojë jetën,  thonë personat me shikim të dëmtuar. Sipas tyre, në vendin tonë personat e verbër në shoqëri janë të padukshëm për sistemin të cilët tregojnë për problemet dhe ballafaqimin e tyre të përditshëm.

“Aftësimi  është proces për zhvillimin e dhuntive që fëmijët duhet t’i fitojnë që të funksionojnë  në mënyrë më të pavarur. Tek fëmijët me shikim të dëmtuar kjo përfshin mësim se si të orientohen në ambient, të lëvizin sigurt, të kujdesen për veten, të përdorin mjete ndihmëse edhe të qasen tek informacionet. Për këto aftësi nevojiten vlerësim profesional, punë individuale dhe ushtrime çdo ditë në çdo situatë.”, - tha një person me shikim të dëmtuar.

“Qasja digjitale duhet të bëhet primare dhe jo përjashtim, pjesë e madhe e platformave digjitale ende nuk i plotësojnë standardet për qasje. Zgjidhjet e reja softuerike duhet të jenë të qasshme jo vetëm për ne si shfrytëzues, por edhe për personat e verbër që duan të punojnë, të përparojnë dhe të udhëheqin me këto sisteme, prandaj po kërkojmë aplikim më të fundit të standardeve në qasjen digjitale dhe vendosjen e fondit për teknologji ndihmëse dhe pajisje digjitale.”, - u shpreh një person me shikim të dëmtuar.

Autoritetet thonë se po bëjnë përpjekje për t’ua lehtësuar jetën personave të verbër dhe atyre me shikim të dëmtuar.

“Një nga proceset e rëndësishme që po punojmë është reforma në sistemin e vlerësimit për personat me aftësi të kufizuara. Qëllimi është vlerësimi të mos jetë vetëm në aspektin mjekësor, por të merret parasysh edhe funksionimi i personit, ndikimi i ambientit dhe ndihma e nevojshme.”, - deklaroi ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve, Gjoko Vellkovski.

“Ueb faqet dhe aplikacionet duhet të mundësojnë shfrytëzimin e tastaturës, kontrollin e klasës dhe pajisjet ndihmëse. Funksionet e tyre duhet të jenë të qarta dhe të parashikueshme, ndërsa përmbajtje të përpunuara në mënyrë adekuate nga teknologjitë ndihmëse për faqet e internetit dhe aplikacionet mobile ekzistuese, afati i fundit për harmonizim është 31 dhjetori i këtij viti.”, - theksoi ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski.

“Bastuni i bardhë është simbol i lirisë, lëvizshmërisë dhe dinjitetit të personave me shikim të dëmtuar, por pavarësia e tyre varet edhe nga qasja e hapësirave publike, disponueshmëria e informacionit dhe mbështetja nga institucionet.”, - u shpreh kryetari i Grupit Parlamentar për Personat me Aftësi të Kufizuara, Nikolla Micevski.

Në RMV janë mes 4 mijë deri në 10 mijë persona të verbër dhe  me shikim të dëmtuar, por nuk ka numër të saktë për shkak të mungesës së regjistrit shtetëror. Ndërsa në botë, të paktën 2.2 miliardë njerëz jetojnë me një formë të dëmtimit të shikimit, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë. (Vlora Latfifi Topojani, TVM2)