VLEN: Institucionet ndërkombëtare dëshmojnë ecurinë e ekonomisë
15.10.2026 17:51
Rezultatet ekonomike tregojnë përparim në thuajse të gjitha parametrat...

Rezultatet ekonomike tregojnë përparim në thuajse të gjitha parametrat, dhe për këtë po arrijnë konfirmime edhe nga institucionet ndërkombëtare. Kështu thotë partia shqiptare në Qeveri, VLEN, duke cituar rritjen e parashikimit për ekonominë e vendit nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore. Sipas tyre, kjo dëshmon se ekonomia po ecë më mirë sesa institucionet ndërkombëtare e kishin parashikuar.
“Ekonomia po ecën mbarë. Këtë nuk e themi ne, por e thonë dy nga institucionet më të rëndësishme financiare ndërkombëtare, Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore. Që të dyja këto institucione e kanë rritur parashikimin për rritjen ekonomike të vendit për këtë vit. FMN-ja nga 3.1 në 3.5 për qind, ndërsa Banka Botërore nga 2.9 në 3.2 për qind.”, - deklaroi Basri Mehmedalija nga VLEN.
VLEN-i thotë se Banka Botërore i ka veçuar investimet në infrastrukturë si një nga shtytësit kryesorë të rritjes ekonomike, ndërsa përmendi projektet që sipas tyre dëshmojnë ekspansionin infrastrukturor në vend.
“Autostrada Shkup–Bllacë është pritur me dekada. Përfundimi i saj tashmë nuk vihet në diskutim. Si VLEN, kësaj pune do t’i vëmë PIKË. Kjo lidhje me Kosovën ka rëndësi të drejtpërdrejtë për qytetarët, tregtinë dhe kompanitë tona. Në Korridorin 8, që për ne është projekt strategjik, kemi segmentet Tetovë–Gostivar, Gostivar–Bukojçan dhe Kërçovë–Ohër. Më 12 tetor vumë gurthemelin edhe për Bukojçan–Kërçovën. Autostrada Bukojçan–Kërçova plotëson hallkën e rëndësishme të lidhjes së Pollogut me Kërçovën dhe Ohrin, në korridorin që na lidh me Shqipërinë dhe portet e Adriatikut.”, - theksoi Basri Mehmedalija nga VLEN.
VLEN-i ka përmendur edhe uljen e inflacionit në vetëm 2.7% në nivel vjetor, si dhe mbrojtjen e çmimit të naftës, i cili është më i liri në rajon. Ata thonë se këto janë rezultat i angazhimit të kuadrove të tyre që kanë marrë përgjegjësi për udhëheqjen e sektorit ekonomik.
BENJAMIN ARIFI
