Përshkallëzohet dhuna në Tiranë, 100 policë dhe protestues marrin ndihmë mjekësore

15.10.2026 17:51

Që prej mëngjesit, protestuesit po marshojnë nëpër rrugët...

Që prej mëngjesit, protestuesit po marshojnë nëpër rrugët e Tiranës duke sulmuar institucionet dhe shkatërruar gjithçka u del para. Sulmi me gurë dhe me sende të forta nisi me Ministrinë e Arsimit, Kuvendin, Ministrinë e Ekonomisë dhe atë të Infrastrukturës, por ndryshe nga një ditë më parë, kur policia ishte e tërhequr, sot reagimi ishte i menjëhershëm duke i shpërndarë me ujë e gaz lotsjellës. Aktet e dhunës nga protestuesit e maskuar nisën nga rruga e Elbasanit, ku u shkatërruan tabela, semaforë dhe koshave iu vu flaka në mes të rrugës.

Ndonëse seanca plenare u anulua, një grup protestuesish u ndalën fillimisht te Kuvendi, por policia nisi menjëherë me shoqërimet e para. Më pas ata shkuan te Ministria e Arsimit. Sapo nisën sulmet me gurë dhe sende të forta, efektivët ndërhynë direkt me gaz lotsjellës dhe me ujë. Policia nisi me shoqërimet dhe lëshoi edhe gaz lotsjellës brenda oborrit të Ministrisë së Arsimit për të frenuar futjen e protestuesve të cilët kishin shkatërruar një prej dyerve.

Pas një orë përplasjesh, protestuesit u larguan dhe nisën marshim nëpër rrugët e Tiranës duke shkatërruar bankomatë e stacion urbanësh. Transporti Urban u pezullua, bankat mbyllën dyert dhe po ashtu edhe institucionet.

Por, pavarësisht kësaj situate, kryeministri Edi Rama tha për agjencinë e lajmeve Reuters se nuk do të dorëhiqet.

Sipas tij, nuk janë studentët ata që po e bëjnë dhunën në rrugët e kryeqytetit, por opozita dhe forca të tjera të huaja, që duan që Shqipëria të ndalet në rrugën drejt Bashkimit Evropian.

Në Tiranë pothuaj gjithçka është e shkatërruar, ndërsa janë gati 100 policë dhe protestues që kanë marrë ndihmë mjekësore në spitale. (Luljeta Ndoka, TVM2)