Filloi regjistrimi i nxënësve në shkolla të mesme, prioritet t’u jepet shkollave të mesme profesionale
Filloi regjistrimi i nxënësve në arsimin e mesëm të obligueshëm për vitin 2015-2016...

MASh ka rritur kriteret dhe pikët për regjistrimin e nxënësve në shkolla të mesme, me qëllim që nxënësit të orientohen në shkollat e mesme profesionale në të cilat nevojitet minimum 30 pikë për regjistrim. Nga këto shkolla bëjnë thirrje që nxënësit të përzgjedhin drejtimet profesionale, sepse janë atraktive dhe ofrojnë mësim praktik.
“Kemi drejtime të komunikacionit teknik për komunikacion rrugor, drejtimet e makinerisë, kemi autoteknikë, mekatronikë, katërvjeçare janë këto drejtime dhe kemi automekanikë dhe autoelektricistë. Apeli im është që të regjistrohen të gjithë nxënësit në shkolla të mesme profesionale, sepse ka nevojë tregu i punës dhe do të gjejnë vetveten”- deklaroi ndihmësdrejtori në “Boro Petrushevski”, Zeqirja Zeqiri.
Edhe Shkolla e Mesme “Vllado Tasevski” ofron metoda bashkëkohore të mësimdhënies, mësim praktik dhe drejtime atraktive.
“Drejtimet i kemi të komunikacionit dhe elektros. Komunikacion është teknikë për shpeticion dhe kurse eletro është për elektoteknikë dhe komunikim. Drejtimet janë të mira dhe me perspektivë, ka mungesë të këtij kuadri te shqiptarët dhe ia vlen të na vizitojnë”- tha Arben Idrizi nga Sh. M. “Vllado Tasevski”.
Nxënësit thonë se preferojnë drejtimet deficitare, sepse pas përfundimit të shkollimit të mesëm gjejnë vetveten më lehtë në tregun e punës.
“Do të regjistrohem në drejtimin automekanik, sepse shpresoj se do të gjej punë pas mbarimit të shkollës”- u shpreh një nxënës.
“E zgjodha drejtimin elektricist sepse më pëlqen, babai im është elektricist, është drejtim i mirë”- tha një nxënës.
“Unë e zgjodha drejtimin elektroteknik, sepse ka pak shqiptarë dhe mund të punësohem lehtë”- theksoi një nxënës.
Ndërkohë, nga MASh-i bëjnë thirrje që nxënësit të orientohen në drejtimet profesionale, ai i tekstilit në Shkollën “Koço Racin”, drejtimi teknik i hotelieri dhe kamerierë në “Llazar Tanev”, drejtimet elektroteknike për kompjuterë, elektroteknikë e energjetikës dhe drejtimi elektromekanik në “Mihajllo Pupin”, sepse këto janë drejtime që ofrojnë perspektivë dhe për shkak të interesimit të ulët nuk hapen paralele me mësim në gjuhën shqipe. (Flutura Latifi, TVM2)
