Vazhdojnë protestat në Tiranë, 40 të lënduar në protestën e së enjtes
Në Tiranë vazhdojnë protestat e dhunshme...

Në Tiranë vazhdojnë protestat e dhunshme të cilat kanë hyrë ditën e katërt. Protestave studentore u janë bashkangjitur edhe nxënës të shkollave të mesme, ndërsa protestuesit po kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Pothuajse të gjitha shkollat shtetërore janë bojkotuar dhe nuk po zhvillohet mësim, ashtu si edhe universitetet. Në Spitalin Universitar të Traumës dje janë paraqitur gjithsej 40 persona të lënduar në protestën e dhunshme në Tiranë. Mes tyre, janë 14 protestues, përfshirë katër të mitur, si dhe 26 efektivë të Policisë së Shtetit, ku dy prej tyre vijojnë trajtimin spitalor.
Ministrja e Shëndetësisë, Klodiana Spahiu, vizitoi nga afër të plagosurit në Spitalin e Traumës për t’u njohur me gjendjen e tyre shëndetësore.
Përveç Tiranës protesta janë regjistruar edhe në qytete tjera të Shqipërisë. Në Korçë gjatë ditës së djeshme janë arrestuar 2 persona, ndërsa janë proceduar penalisht 23 të tjerë, pasi janë përplasur me policinë, ndërsa kanë shkatërruar institucionet shtetërore dhe pronat publike.
Protesta dhe revoltë nga nxënësit e shkollave të mesme dhe studentët ka pasur edhe në Durrës, Shkodër, Lezhë, Elbasan, Burrel, Kamëz e Gramsh, ku po ashtu ka pasur tensione mes protestuesve dhe policisë. Ndërkohë sot në gjykatën e Tiranës jepet masa e sigurisë për 16 të arrestuarit nga dita e parë e protestës studentore.
