Pas 50 vitesh shkollë e re në Hasanbeg, 170 milionë denarë investim

16.10.2026 14:16

Barakat e mbetura nga koha e tërmetit...

Barakat e mbetura nga koha e tërmetit, ku për më shumë se 50 vjet zhvillohej mësimi, tashmë i përkasin së kaluarës.

Në Hasanbeg u përurua objekti i ri i shkollës fillore “Kërste Petkov Misirkov”, një investim prej 170 milionë denarësh, që sjell kushte të reja për qindra nxënës dhe mësimdhënës.

Shkolla ka një sipërfaqe prej 3.128 metrash katrorë, është e ndërtuar në përdhes dhe një kat, ndërsa përfshin 30 kabinete dhe kapacitet për 713 nxënës. Objekti është projektuar si shkollë gjithëpërfshirëse dhe është pajisur me ashensor, duke mundësuar qasje edhe për nxënësit me aftësi të kufizuara.

Në ceremoninë e përurimit morën pjesë kryeministri Hristijan Mickoski, ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, dhe kryetari i Komunës së Gazi Babës, Boban Stefkovski.

“Me të vërtetë bëhet fjalë për një objekt bashkëkohor, modern dhe plotësisht gjithëpërfshirës (inklusiv), i cili përbëhet nga 30 kabinete me një kapacitet prej 713 nxënësish. Investimi total i këtij projekti është 170 milionë denarë. Ajo që dua të përmend është se arsimi mbetet në fokusin tonë të veprimit.”, - deklaroi kryetari i Komunës së Gazi Babës, Boban Stefkovski.

“E njëjta gjë ndodh në të gjithë vendin dhe tashmë e dini se një numër i madh shkollash, sallash sportive e fushash po ndërtohen në mbarë vendin, gjithçka me qëllimin e vetëm për t'u mundësuar fëmijëve kushte më të mira për një cilësi më të mirë në arsim. Dua të rikujtoj se brenda dy vitesh po realizojmë 90 projekte me vlerë prej 70 milionë eurosh. Gjysma e mjeteve janë siguruar përmes Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, ndërsa gjysma tjetër përmes thirrjes publike të Qeverisë për financimin e projekteve kapitale të komunave. Një projekt i tillë është pikërisht kjo shkollë.”, - theksoi ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska.

Me investime të tilla, institucionet synojnë të përmirësojnë infrastrukturën arsimore dhe të krijojnë kushte më të përshtatshme për zhvillimin e procesit mësimor.

Për nxënësit e Hasanbegut, lënia pas e barakave pas më shumë se gjysmë shekulli përbën një ndryshim të rëndësishëm, ndërsa sfida e radhës mbetet që kushtet e reja të shoqërohen me përmirësim të vazhdueshëm të cilësisë së arsimit. (Farije Dauti – Bakiu, TVM2)