Muaji rozë, marsh për ndërgjegjësim publik
Në kuadër të Tetorit Rozë, në Tetovë....

Në kuadër të Tetorit Rozë, në Tetovë është organizuar një marsh nga Komuna e Tetovës nëpër bulevardet e qytetit me qëllim informimin, sensibilizimin dhe ndërgjegjësimin mbi kancerin e gjirit.
Gjatë marshit janë shpërndarë fletushka informuese për gratë, me thirrjen për kontrolle të rregullta dhe zbulim të hershëm të sëmundjes. Kreu i Tetovës, Kasami, tha se mbështet nismën për shëndet publik më të mirë.
“Marshi i sotëm në Tetovë i kushtohet ndërgjegjësimit publik dhe mbështetjes së grave që përballen me këtë sëmundje. Ky aktivitet është edhe shprehje solidariteti me gratë dhe familjet e tyre. Nevojat e tyre meritojnë vëmendje, mirëkuptim dhe mbështetje gjatë gjithë procesit të trajtimit. Si kryetar i Komunës së Tetovës mbështes nismat për përmirësimin e shëndetit publik brenda kompetencave dhe mundësive të saj. Komuna do të vazhdojë të mbështesë aktivitetet informuese dhe ndërgjegjësuese, në bashkëpunim me institucionet dhe organizatat përkatëse. Mesazhi ynë është i qartë: Mos i shtyni kontrollet shëndetësore! Këshillohuni me mjekun dhe ndiqni rekomandimet e tij. Kujdesi në kohë për shëndetin është përgjegjësi personale, ndërsa mbështetja është detyrim i të gjithëve.”, - deklaroi kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami.
Marshi në Tetovë përcolli mesazhin se kontrollet në kohë shpëtojnë jetë, ndërsa ndërgjegjësimi dhe solidariteti janë thelbësorë në luftën kundër kancerit të gjirit. (Visar Sadiku, TVM2)
