Afganistan, sulm kamikaz në parlament, 6 të vdekur

22.06.2015 14:26

Parlamenti afgan u bë sot pre e një sulmi kamikaz. Bilanci paraprak i viktimave është të paktën 6 civilë të vdekur, që ndodheshin jashtë ndërtesës në momentin e shpërthimit të një autobombe...

Shpërthime të forta të njëpasnjëshme u dëgjuan jashtë tij, më pas një grup hyri brenda një ndërtese pranë parlamentit, ku pati shkëmbim zjarri me forcat e sigurisë.

Sipas agjencisë së lajmeve “Pajhvok”, sulmi në Parlamentin afgan  është bërë nga një komando kamikazësh talibanë. Sulmi ndodhi ndërkohë që po zhvillohej një seancë për ratifikimin e emrit të ministrit të ri të Mbrojtjes.

Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kabul e ka cilësuar sulmin si një sulm të qëllimshëm kundër demokracisë në Afganistan. Zëdhënësi i talibanëve, Zabibullah Mujahid, e ka marrë përgjegjësinë për këtë sulm.

“Ne kemi ndërmarrë një sulm në parlament, pasi atje ishte një mbledhje e rëndësishme për zgjedhjen e ministrit të Mbrojtjes”- tha Mujahid nëpërmjet telefonit. (Rexhep Qamili, TVM2)