Maqedoni

Rasti i Iva Mihajllovës, Mickoski: Iva të vijë dhe të dëshmojë pafajësinë

16.10.2026 15:58

Rranë në ujë të gjitha sulmet e koordinuara ndaj Qeverisë...

Rranë në ujë të gjitha sulmet e koordinuara ndaj Qeverisë, se largimi i Iva Mihajllovës ka qenë i kurdisur, tha kryeministri Hristijan Mickoski. Ky i fundit mbetet në qëndrimin e tij se Iva dhe prindi i saj herët apo vonë do të japin përgjegjësi, dhe potencoi se vendi ka mekanizma me të cilat do të tregojë para faktorit ndërkombëtar.
 
“Ne kishim një urdhërarrest ndërkombëtar dhe presim që prindi i Ivës, i cili është i dënuar, të ekstradohet, ndërsa Iva të vijë dhe të tregojë pafajësinë e saj para organeve gjyqësore. Problemi ynë është që të ikurit nga drejtësia t’i kthejmë në vend, dhe dëshmitë nga hetimi do t’i shfaqim para partnerëve tanë ndërkombëtarë.”, - deklaroi kryeministri, Hristijan Mickoski. 
 
Rastit me Mihajllovën dukshëm ka dëmtuar marrëdhëniet në mes të dyja vendeve. Mickoski theksoi se RMV-ja nuk do vazhdojë të punojë në procesin eurointegrues të vendit.
 
“Ne nuk duhet të jemi viktimë e emocioneve, por të vazhdojmë të punojmë në procesin eurointegrues të vendit, dhe nuk do t’i lëshojmë bisedimet me palën bullgare, por përkundrazi, do t’i shtojmë përpjekjet tona për takim dhe dialog.”, - theksoi kryeministri, Hristijan Mickoski.
 
LSDM kërkon përgjegjësi nga Toshkovski
 
Nga ana tjetër, opozita maqedonase LSDM akoma është e mendimit se largimi i Iva Mihajllovës ka qenë i orkestruar dhe kërkojnë dorëheqje nga Pançe Toshkovski.
 
“Kufiri është i pakontrolluar, konfirmoi vetë ministri, por ai që drejton policinë dhe është përgjegjës për kufirin, është i mbrojtur. Hristijan Mickoski siguron mbrojtje për Toshkovskin dhe anasjelltas. Toshkovski siguron mbrojtje për Mickoskin dhe grupin e krimit të organizuar.”, - thuhet në komunikatën e LSDM-së. 
 
Iva Mihajllova, banore e Koçanit me shtetësi maqedonase dhe bullgare, është përfshirë në procedurë gjyqësore për aksident trafiku me pasoja fatale. Më parë ajo pretendonte se ishte viktimë e diskriminimit për shkak të dyshtetësisë së saj dhe se nuk lejohej të shkonte për mjekim në Bullgari.
 
Gjykata i hoqi pasaportat maqedonase dhe bullgare, por ajo doli para mediave në Sofje këtë javë, duke shpjeguar se u largua për shkak të përkeqësimit të gjendjes shëndetësore. Pas arratisjes, Gjykata e Shkallës së Parë në Koçan i ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh dhe është lëshuar fletarrest.
 
Ministria e Punëve të Brendshme bullgare tashmë ka vendosur që Mihajllova nuk mund të ekstradohet në Maqedoninë e Veriut për shkak të dispozitave kushtetuese që rregullojnë ekstradimin e shtetasve bullgarë në vende të tjera.
 
FITIM KRYEZIU