Energjetika, çmimi i rrymës i garantuar deri në fund të vitit
16.10.2026 17:13
Çmimi i energjisë elektrike nuk do të rritet deri në fund të vitit...

Çmimi i energjisë elektrike nuk do të rritet deri në fund të vitit, përkundër krizës energjetike globale. Kështu tha kryeministri Hristijan Mickoski, i cili pretendon se Qeveria e ka ruajtur stabilitetin ekonomik edhe gjatë kohës kur, sipas tij, bota po përballet me krizën më të madhe energjetike që e mban në mend njerëzimi.
Megjithatë, kryeministri nuk garanton se çmimi i energjisë elektrike nuk do të rritet vitin e ardhshëm.
“Le të presim deri më 1 janar për të parë se çfarë kanë për të thënë kompanitë energjetike, e pastaj do të shohim. Nuk mund ta paragjykoj vendimin e Komisionit Rregullator.”, - deklaroi kryeministri, Hristijan Mickoski.
Mickoski: Po ndërtohen dy interkonektorë të gazit
Mickoski theksoi edhe përpjekjet e Qeverisë për gazifikimin. Dy interkonektorët që po ndërtohen aktualisht tha se duhet të përfundojnë në gjysmën e parë të vitit të ardhshëm deri në fund të vitit 2028 respektivisht.
"Kjo do ta rrisë në mënyrë dramatike – dhe e kam theksoj “dramatike” – rëndësinë gjeostrategjike të Maqedonisë. Për më tepër, këta dy gazsjellës do të krijojnë mundësi për investitorët e interesuar në zhvillimin e objekteve për prodhimin e energjisë elektrike që përdorin gazin si lëndë djegëse. Gjithashtu, kjo hap mundësi për ne sa i përket rindërtimit dhe modernizimit të termocentraleve me qymyr; ne do të mund t'i konvertojmë ato që të funksionojnë me gaz, duke ruajtur kështu vendet e punës dhe duke siguruar që këto objekte të mund të vazhdojnë aktivitetin e tyre prodhues.", - theksoi kryeministri, Hristijan Mickoski.
Sa i përket konvertimit të termocentraleve të qymyrit në termocentrale gazi, Mickoski paralajmëroi lajme të mira nga diskutimet e ESM-së me Bankën Botërore.
BENJAMIN ARIFI
