Protestat në Shqipëri, tensione më të pakta në ditën e tretë

16.10.2026 17:14

Marshimi këtë të premte nisi më vonë se çka ndodhur në dy protestat e kaluara...

Marshimi këtë të premte nisi më vonë se çka ndodhur në dy protestat e kaluara, rreth orës 11:00. Forcat operacionale nisën me shoqërime menjëherë rreth sheshit “Skenderbej”.
 
Ndryshe nga ditët e tjera, grumbullimi ishte më i qetë në Ministrinë e Arsimit. Për më shumë se një orë incidentet ishin minimale, ndërsa nuk munguan edhe thirrjet për të mos gjuajtur drejt policisë me gurë. Pas mesdite u shënua përplasja e parë me gaz lotsjellës dhe ujë. Pjesa më e madhe e protestuesve u shpërndanë, shumica drejt sheshit “Skënderbej” në fillim te Rrugët e Durrësit.
 
Grumbullimi me hedhje gurësh në drejtim të policisë dhe Ministrisë vazhdonte, ndërkohë që tashmë koshat e djegur prej ditësh përdoren si barrikada. Tensionet ishin më të pakta se në dy protestat e para, por gjithsesi nuk munguan. Kryeministri Rama zgjodhi një kioskë të shkrumbuar në anë të Bulevardit “Dëshmorët e Kombit” nga protestuesit e maskuar për të reaguar pas ditës së tretë të dhunës dhe kaosit në Tiranë.
 
Ai tha se protagonistët e kësaj dhune nuk janë shqiptarët, por një dorë që e ka marrë peng Shqipërinë prej mbi 30 vitesh e që po ndihmohet edhe nga qarqe të huaja. Njëkohësisht, ai dënoi përdorimin e të miturve për të nxitur dhunë e sulmuar policinë.
 
Kreu i opozitës Sali Berisha vijoi thirrjet për dorëheqjen e kryeministrit. Policia njoftoi se 56 persona janë vënë në pranga nga policia pas përplasjeve dhe incidenteve të dhunshme që u regjistruan në protestën e një dite më parë në Tiranë.
 
Mes të arrestuarve 16 janë të mitur, të moshave 15 deri në 17 vjeç. Të lënduar janë më shumë se 120 policë.
 
LULJETA NDOKA