Maqedoni
Zgjedhjet e parakohshme në Bërvenicë
16.10.2026 18:02
Në mesnatë fillon heshtja zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme lokale...

Në mesnatë fillon heshtja zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme lokale në Bërvenicë. Kandidatët dhe subjektet politike kanë mbyllur fushatën duke premtuar projekte infrastrukturore që lehtësojnë jetesën e banorëve të zonës.
“Kemi një numër të madh të projekteve. Do t’i ndajmë disa prej tyre që i kemi më të rëndësishme, më me prioritet. Do ta veçoja morgun e Komunës në Bërvenicë, do të veçoja vendbanimet që ende nuk kanë rrjet kanalizimi, nuk kanë rrugë deri në fund të asfaltuara, rrugica, kjo është pjesë e programit tim. Kemi edhe rrugë të pandërtuara nëpër komunën tonë. Andaj, unë si kandidat, edhe nëse bëhem kryetar i komunës, do të mundohem që këto punë t’i zgjidh që në vitin e parë të mandatit tim.”, - deklaroi kandidati i LSDM-së, Jovica Radeski.
“Do të përkushtohem për vendosje të kontrollit të rreptë të furnizimeve publike dhe ajo që është motiv për mua është kursim deri në 10% nga programi buxhetor i komunës. Ky kursim prej 10% do të ishte rreth diku 500 mijë euro dhe kjo nuk është pak. Çka do të nënkuptonte ky kursim? Pra, kjo do të ishte ndonjë fond, të cilën Komuna e Bërvenicës do të mund ta shfrytëzonte nëpërmjet Këshillit për programe, të cilat do të jenë të nevojshme për vetë banorët e Bërvenicës.”, - theksoi kandidati i pavarur, Dushan Bogdanovski.
“Nuk kemi kohë për të humbur. Ashtu siç e përmendi deputeti i nderuar, rinia është duke na ikur. Prandaj, nuk kemi kohë për eksperimente. Do t’ju kisha lutur edhe njëherë që më 18 tetor masovikisht Radiovca të dalë në mbështetje të opsionit tonë dhe të bëjmë bashkë punë të hajrit dhe punë të mira. Unë për vete energjinë dhe mbështetjen e kam pa prej ditës së parë d.m.th. prej takimit me bashkëqytetarët edhe me deputetët, me kryesinë e VLEN – it. Por, meqë e kam pranuar unë këtë përgjegjësi për të kandiduar për kryetar të Komunës së Bërvenicës e kam ndje kryetar, e kam ndje atmosferën e fitores.”, - u shpreh kandidati i VLEN-it, Jakup Huseini.
“Ne e kemi të patjetërsueshme të gjithë bashkë të krijojmë ato kushte. Ne nuk mund t’ia lejojmë fatin që fëmijët tanë të jetojnë larg prindërve të tyre. Kjo, e kuptoj se nuk bëhet brenda natës, por ne patjetër e kemi të detyrueshme që të kujdesemi që fëmijët të mos na largohen, që ata të shohin të ardhmen e tyre në vendin e tyre. Këtu i shohim si partnerë edhe mërgimtarët, të cilët kanë krijuar biznese, kanë krijuar profesionalizmin e tyre atje dhe ata të cilët duan të investojnë në vendin e vet, ne do të jemi të hapur që të vijnë ata të investojnë, në mënyrë që të krijohen vende të reja pune.”, - deklaroi kandidati i AKI-së, Arkin Jahiji.
“Një nga projektet kryesore është ndërtimi i tregut të hapur në Bërvenicë, ku banorët e të gjitha vendbanimeve do të mund të realizojnë, gjegjësisht të shesin produktet e tyre bujqësore, pasi që tani përballemi me faktin se bujqit janë të detyruar që të plasojnë prodhimet e tyre në tregjet në Tetovë, Gostivar dhe gjithandej në shtet. Unë do të jem kryetar komune i të gjithë qytetarëve. Nuk i ndaj njerëzit në baza partiake apo në baza etnike.”, - theksoi kandidati i VMRO-DPMNE-së, Stojanço Radiçevski.
