Maqedoni

Akademikët: kriza politike është drejt një zgjidhjeje të shpejtë

22.06.2015 15:08

Akademikët vlerësojnë se kriza politike është drejt një zgjidhjeje të shpejtë dhe pikërisht takimi i 29 qershorit do të jetë data ku do të gjendet zgjidhje e kësaj situate...

Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë, Vllado Kambovski, thekson se akademia gjatë gjithë kësaj kohe më shumë ka luajtur rolin e një insistuesi për tolerancë dhe dialog.
 
“Duke insistuar në një qasje tolerante dhe të dialogut, akademia gjithmonë ka dashur dhe besoj se ka ndikuar më shumë për t’u krijuar një klimë e dialogut dhe tolerancës, se sa të ofrojë ndonjë zgjidhje konkrete për ndonjë situatë konkrete. Ne e përshëndesim atë që veç më kriza politike po hyn në një fazë të zgjidhjes”- deklaroi kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë, Vllado Kambovski.
 
“Unë jam optimist dhe mendoj se ajo që është caktuar, që më 29 qershor të ketë takim të përbashkët të liderëve dhe vetë fakti se në atë takim janë të ftuar mysafirë nga Bashkimi Evropian, mendoj se veç më ka ndonjë marrëveshje dhe më 29 mendoj se do të shohim zgjidhje të kësaj krize”- tha anëtari i sapozgjedhur i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë, Dragi Georgiev.  
 
Akademikët këto fjalë i thanë me rastin e takimit të pesë anëtarëve të sapozgjedhur të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë me kryetarin e këtij institucioni, Vllado Kambovski.
 
Në mesin e pesë anëtarëve të sapozgjedhur, Izet Zeqiri është i vetmi anëtarë shqiptar.
 
Ai vlerëson se me përfshirjen e shqiptarëve në këtë institucion do të jetë një garanci plus për parandalim e projekteve anti-shqiptare, siç ishte ai i enciklopedisë.
 
“Vet afirmimi dhe fakti që dita-ditës akademia hapet edhe për shqiptarët, do të jetë një garanci, sepse gjithsesi se akademia duhet të punojë në interesin e të gjithë qytetarëve të Maqedonisë”- theksoi anëtari i sapozgjedhur i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë, Izet Zeqiri.
 
Pesë anëtarët e sapozgjedhur të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë janë: Dragi Georgiev, Izet Zeqiri, Sasho Kedev, Aleksandar Dimovski dhe Marijan Markoviq.
 
Ata theksuan se ndihen të privilegjuar që tanimë janë pjesë e akademisë dhe premtuan se do të japin kontribut të madh secili në fushën e tij.
 
ERSAN PAJAZITI