Rajon
Protestat në Shqipëri, tensione më të pakta në ditën e katërt
17.10.2026 10:31
Gjithsej 25 persona kanë marrë trajtim mjekësor pas protestave të 16 tetorit në Shqipëri, ndërsa dy prej tyre vijojnë të jenë të hospitalizuar....

Pas 11 orësh tensione, përplasjesh dhe episodesh dhune në Tiranë, protesta në mbrëmjen e së premtes ka përfundur në një atmosferë krejt ndryshe në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku protestuesit dhe forcat e Policisë kanë dhënë sinjale të qarta për qetësim.
Policia është tërhequr nga disa prej pozicioneve të mëparshme dhe ka vendosur kordonin e saj përpara godinës së Kryeministrisë, ndërsa protestuesit kanë vijuar qëndrimin në bulevard dhe përballë institucionit pa akte dhune dhe pa tentativa për përshkallëzim të situatës.
Ndërkohë Ministria e Shëndetësisë në Shqipëri ka njoftuar se 25 persona kanë marrë ndihmë mjekësore si pasojë e lëndimeve gjatë protestave të 16 tetorit, ndërsa dy prej tyre vazhdojnë të trajtohen në spital.
Sipas të dhënave zyrtare, në Spitalin Universitar të Traumës në Tiranë janë trajtuar 21 persona, përfshirë tetë efektivë policie, dhjetë protestues, mes tyre tre të mitur, si dhe tre kalimtarë të rastit. Nga të lënduarit, një kalimtar ndodhet në gjendje të qëndrueshme, ndërsa një protestues 21-vjeçar vijon të jetë nën mbikëqyrjen e mjekëve neurokirurgë.
Sipas autoriteteve shëndetësore, gjendja e tij nuk kërkon ndërhyrje kirurgjikale dhe nuk paraqet rrezik për paralizë. Ndihmë mjekësore kanë marrë edhe katër persona në spitalet rajonale të Vlorës dhe Lezhës, përfshirë një polic dhe tre të mitur. Të gjithë janë larguar nga spitali pas trajtimit.
Ministria e Shëndetësisë bëri të ditur se të gjithë personat e tjerë që morën ndihmë mjekësore janë liruar nga spitali, jashtë rrezikut për jetën.
