Botë

Zgjedhjet lokale në Shqipëri, fitues rezulton blloku i partive të majta

22.06.2015 15:20

Pas zgjedhjeve të djeshme lokale në Shqipëri, vazhdon numërimi i votave, por rezultatet e deritanishme e nxjerrin fitues koalicionin e majtë...

Pas zgjedhjeve të djeshme lokale në Shqipëri, vazhdon numërimi i votave, por rezultatet e deritanishme e nxjerrin fitues koalicionin e majtë, i cili nga 22 bashkitë e numëruara ka fituar në 17 prej tyre, ndërsa 5 të tjerat janë fituar nga blloku i djathtë i udhëhequr nga Partia Demokratike.
 
Sipas këtyre rezultateve, blloku i partive të majta të udhëhequra nga kryeministri, Edi Rama, do të udhëheq me Bashkinë e Himarës, Mirditës, Belshit, Hasit, Skraparit, Pustecit, Delvinës, Kolonjës, Peqinit, Fushë Arrzit, Libohovës, Cerrikut, Konispolit, Roskovecit, Poliçanit, Pikes dhe Urës Vajgurore.
 
Ndërsa e djathta ka fituar në Tropojë, Klos, Vlorë, Përmet dhe Selenicë. E majta kryeson edhe në Tiranë, ku sipas rezultateve të publikuara nga KQZ-ja, nga numërimi i 316 nga 864 qendra-votimi kandidati socialist, Erion Veliaj ka siguruar 58 mijë e 695 vota, ndërsa ai demokrat, Halim Kosova, 42 mijë e 432 vota. 
 
Nga bashkitë e mëdha kandidatët e së majtës kryesojnë edhe në Durrës dhe Vlorë, ndërsa e djathta kryeson në Shkodër. 
 
BE po e ndjek me vëmendje situatën dhe rezultatin e zgjedhjeve të monitoruara nga gati 400 vëzhgues të huaj e 5.000 vendorë.
 
Kjo për faktin se zgjedhjet në Shqipëri që prej rënies se komunizmit janë shënuar përherë prej dhunës dhe akuzave të të gjithë kaheve për manipulime.
 
Shqipëria  siguroi vitin e kaluar statusin e vendit kandidat në BE dhe Unioni, synonte inkurajimin e progresit të vendit drejt luftës kundër korrupsionit e krimit të organizuar dhe sundimit të ligjit.
 
Këtë radhë, zgjedhjet përbënin një test si për popullaritetin e socialistëve në pushtet, iniciuesi i reformës territoriale që e tkurri numrin e njësive vendore nga 373 në 61, ashtu dhe për lidershipin e kreut të opozitës, Lulzim Basha, që këto votime i ka përshkruar si "referendum popullor kundër shumicës qeverisëse".
 
Kryeministri, Edi Rama, i cilësoi si zgjedhjet më të lira e të ndershme të mbajtura ndonjëherë në vend, por opozita ankohet për parregullsi dhe ka denoncuar një sërë shkeljesh menjëherë pas mbylljes së qendrave të votimit. Ka pasur parregullsi, manipulime, presione e kërcënime ndaj votuesve të djathtë, ka akuzuar opozita. 
 

GYLTENE SINANI