Kulturë
Arti dhe trashëgimia kulturore, Izet Zeqiri sjell 30 mozaikë në ekspozitën e re
17.10.2026 13:07
Mbrëmë në Pallatin e Kulturës në Tetovë është mbajtur ekspozita e gjashtë personale e profesorit Izet Zeqirit....

Me titullin “Mozaiku në kohë nga tradicionalja në bashkëkohore”, mbrëmë në Pallatin e Kulturës në Tetovë është mbajtur ekspozita e gjashtë personale e profesorit Izet Zeqirit. Zeqiri në këtë ekspozitë kishte sjell rreth 30 punime të realizuara me gurë natyrorë dhe materiale të ndryshme. Të gjitha këta mozaikët e ekspozuara kanë në fokus kujtesën e së kaluarës dhe trashëgiminë kulturore, të cilat autori i ndërthur me elemente të artit bashkëkohor.
“Kjo është ekspozita e gjashtë e mozaikut me temë 'Mozaiku në kohë: nga tradicionalja në bashkëkohore'. Praktikisht, këtu kamë ekspozuar diku 30 punime, të cilat janë punime me fokus kujtesën e të kaluarës, sepse e kaluara nuk paraqitet pengesë për modernitetin, por pikërisht aty duhet të bëhet ajo lidhja. Dhe punimet e mia janë faktikisht me risi artistike, duke u munduar me një kombinim të gurëve dhe materialeve të tjera, që të krijoj punime si kombinim i asaj që e kam studiuar të kohës romake, të kohës greke, mandej bizantine, dhe mozaikët e asaj kohe jam munduar t'i lidh dhe t'u jap një risi artistike të kohës së tashme moderne.”, u shpreh autori i ekspozitës, Izet Zeqiri.
Mozaiku konsiderohet si një nga teknikat më të vështira dhe më sfiduese në artin figurativ, pasi kërkon përkushtim të vazhdueshëm, disiplinë, saktësi në punë dhe orë të tëra angazhimi. Pikërisht këto veçori e bëjnë këtë teknikë një sfidë të veçantë për artistët që zgjedhin ta kultivojnë tha profesori universitar Nevzat Bejtuli Kica.
“Izet Zeqiri ka hyrë në kulturën figurative përmes, ndoshta teknikës më të rëndë të kulturës figurative, të pikturës përmes mozaikut. Sepse mozaiku është teknikë e pikturës. Kohë pas kohe ka hapur edhe nga një ekspozitë, një nga një janë bërë gjashtë ekspozita të Izetit. A punët me të cilat ai dëshmohet tregojnë më tepër sesa seriozitetin e një individi i cili nuk e ka punë përditësore, por e ka një sfidë, të themi, jetësore. Në këtë rast, Izet Zeqiri dëshmon se në shkallë shumë të lartë e ka njohur mozaikun, dhe prej punëve të Izetit nuk ka dilemë se ka nxjerrë punë shumë të mira figurative.”, u shpreh piktori dhe profesori universitar, Nevzat Bejtuli Kica.
Përmes kësaj ekspozite, Izet Zeqiri dëshmon se tradita dhe historia mund të marrin një dimension të ri përmes artit bashkëkohor. Punimet e tij sjellin një ndërthurje të së kaluarës me të tashmen, duke e shndërruar mozaikun në një formë të veçantë të ruajtjes dhe interpretimit të trashëgimisë kulturore, me vlera të spikatura artistike.
VISAR SADIKI
