Botë
Ukrainë, përshkallzohen raportet, sulme të reja
17.10.2026 14:45
Sulmet ajrore ruse ndaj qyteteve ukrainase Sloviansk dhe Herson kanë lënë të paktën një të vrarë dhe 32 të plagosur, mes tyre edhe fëmijë....

Presidenti ukrainas, Volodimir Zelenski, bëri thirrje për rritjen e presionit ndërkombëtar ndaj Rusisë, duke vlerësuar se lehtësimi i sanksioneve dhe lëshimet financiare ndaj Moskës vetëm e inkurajojnë atë të vazhdojë luftën. Zelenski njoftoi se forcat ruse kanë sulmuar më shumë se 15 objekte të rëndësishme për prodhimin dhe transmetimin e energjisë elektrike në pjesë të ndryshme të Ukrainës, duke përdorur më shumë se 320 dronë.
Sipas informacioneve të publikuara nga presidenti ukrainas, sulmet nisën më 16 tetor, në orën 19:00, dhe vazhduan deri në orët e mëngjesit. Ai i cilësoi ato si një nga sulmet më të mëdha ndaj sektorit energjetik të Ukrainës. Sipas tij, miliona qytetarë mund të përballen me ndërprerje të furnizimit. Në një postim në platformën X, ai bëri thirrje për zbatimin e masave që, sipas tij, do të ushtronin presion më efektiv ndaj Moskës.
Ndërkohë sulmet ajrore ruse ndaj qyteteve ukrainase Sloviansk dhe Herson kanë lënë të paktën një të vrarë dhe 32 të plagosur, mes tyre edhe fëmijë. Ekipet e shpëtimit vazhdojnë kërkimet nën rrënoja, ndërsa banorët rrëfejnë momentet e tmerrit gjatë bombardimeve.
“Rreth orës 03:25, unë, fëmija im dhe bashkëshorti ishim në shtrat. Burri u zgjua nga një dritë e fortë, ndërsa unë nga tavani që po shembej mbi kokën time. E mbrojta fëmijën me trupin tim. Dy bombat e para ranë menjëherë, ndërsa e treta 30 sekonda më vonë. Dolëm me vrap në korridor. Unë vrapoja zbathur mbi xhamat e thyer, ndërsa fëmija kishte veshur vetëm një bluzë. Fatmirësisht, kishte vetëm një gërvishtje në këmbë.”, u shpreh një e mbijetuar nga Slovianski.
“Të gjithë ishim në gjumë. U zgjuam nga shpërthimi i parë, pastaj rreth 20 minuta më vonë pati edhe pesë shpërthime të tjera. Nuk ke kohë as të dalësh. Një grua është ende e bllokuar në katin e pestë dhe po përpiqen ta zbresin nga ana tjetër me shkallë. Pllakat e kateve në ndërtesën tonë janë shembur dhe nuk mund të ngjitesh në katin e katërt apo të pestë. Banesat janë shkatërruar plotësisht.”, u shpreh një e mbijetuar nga Herson.
Ndërkohë, aeroportet në Moskë janë mbyllur, ndërsa janë anuluar më shumë se 370 fluturime për shkak të sulmeve me dronë ukrainas.
“Është dhënë detyra jo vetëm për ta dëbuar armikun nga territori ynë, por edhe për të krijuar një zonë sigurie. Qëllimi ynë është të garantojmë sigurinë absolute të territoreve kufitare të Rusisë në të ardhmen. Nuk planifikojmë që kjo çështje të jetë objekt i ndonjë negociate të mundshme paqësore me Ukrainën.”, deklaroi presidenti i Rusisë, Vladimir Putin.
Presidenti amerikan Donald Trump pezulloi paketën e re të sanksioneve kundër ekonomisë ruse, vetëm dy ditë para hyrjes së planifikuar në fuqi. Në urdhrin ekzekutiv të nënshkruar të premten në mbrëmje, Trump deklaroi se vendimi, në këtë moment, është në interesin kombëtar të Shteteve të Bashkuara.
FLORIJE KAMBERI
