Ndryshimet klimatike, rritet numri i personave me ftohje dhe viruse
17.10.2026 15:19
Me ardhjen e sezonit të vjeshtës fillojnë edhe ndryshimet e motit që ndikojnë tek të moshuarit...

Me ardhjen e sezonit të vjeshtës fillojnë edhe ndryshimet e motit që ndikojnë tek të moshuarit, personat me sëmundje kronike dhe tek fëmijët thekson për TVM2 mjeku Sejfullah Ademi. Sipas tij në këtë periudhe duhet të kujdesemi për shëndetin tonë që mos të komplikohet gjendja shëndetësore që mund të fillojë nga një ftohje apo infeksion i thjeshtë.
“Me ndryshimet e fundit klimatike, me ftohjen, me ardhjen e vjeshtës filluan edhe problemet tek pacientët si probleme me frymëmarrjen, ndikon tek të moshuarit të cilët kanë probleme kronike, ashtu edhe tek fëmijët duhet të kemi kujdes se edhe tek ata ndikon. Ekspozimi ndaj temperaturave të ftohta mund të bëhet shkaktar që pastaj të marrin infeksione, fillimisht të filloje si një grip i thjeshtë si një infeksion i thjeshtë pastaj mund të komplikohet gjendja e tyre shëndetësore.”, u shpreh për TVM2 mjeku Sejfullah Ademi.
Ademi: Vaksinimi kundër gripit i rëndësishëm
Mjeku Ademi njëherit thekson se është me rëndësi të madhe vaksinimi kundër gripit sezonal.
“Bëhet apel tek të moshuarit që ,të vaksinohen kundër gripit sezonal, në këtë formë do të bëjnë një lloj imuniteti që të kenë mbrojtje sa më të mirë gjatë sezonës dimërore që vjen. Preferohet edhe personat e tjerë që kanë sëmundje kronike që të vaksinohen pasi që edhe tek ata do të ndikon pozitivisht vaksinimi, po ashtu edhe tek fëmijët në mënyrë të rregullt ti marrin vaksinat, mos të kenë frikë nga vaksinat pasi që pjesa më e madhe e tyre kanë kaluar nëpër shumë filtra dhe janë të sigurta si dhe ti ndjekin udhëzimet e mjekëve specialist për gjendjen e tyre shëndetësore.”, u shpreh Ademi për TVM2.
Mjekët apelojnë që qytetarët të tregojnë kujdes të shtuar gjatë sezonit të vjeshtës, të ndjekin rekomandimet shëndetësore dhe të vaksinohen kundër gripit sezonal, veçanërisht grupet më të rrezikuara. Kontrolli me kohë dhe parandalimi janë thelbësore për të shmangur komplikimet dhe për të ruajtur shëndetin gjatë muajve të ftohtë.
VLORA LATIFI TOPOJANI
