Rajon
Tiranë, përplasje të dhunshme në ditën e pestë të protestës
17.10.2026 15:46
Nuk ka distancim nga aktet e dhunës në protestë, të udhëhequra nga një grup me maska...

Nuk ka distancim nga aktet e dhunës në protestë, të udhëhequra nga një grup me maska. Pas një lëvizje surprizë mbrëmjen e djeshme, kur protestuesit ndalën sulmet ndaj policisë, dhuna u rikthye sërish në ditën e pestë të protestës në Tiranë. Rruga para Ministrisë së Arsimit dhe u kthye në një shesh beteje.
Sulme me molotovë, fishekzjarrë e gurënë drejtim të efektivëve, ndërsa policia u kundërpërgjigj me ujë e gaz lotsjellës, ndërsa në një rast ka përdorur edhe plumba gome. Sulmit nuk i shpëtoi as selia e Ambasadës së Vatikanit, ku protestuesit i vunë flakën kabinës së rojës.
Protesta nisi qetë, por zgjati shumë pak. Protestuesit e maskuar nisën përgatitjet për aktet e dhunës. Fillimisht shkulën kangjellat dhe i vendosën në mes të rrugës, duke krijuar një lloj bllokade përballë policisë. Më pas hoqën pllakat e trotuarit, të cilat i grumbulluan në rrugë për t'i përdorur gjatë sulmeve ndaj efektivëve.
Nuk vonoi dhe nisi breshëria e gurëve, molotovëve dhe fishekzjarrëve në drejtim të efektivëve dhe godinës së Ministrisë së Arsimit. Policia ndërhyri menjëherë me ujë dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën, por përplasjet vijuan për orë të tëra.
Në një moment, mes sulmeve me gurë dhe molotovë ndaj efektivëve, një polic u filmua duke përdorur një armë që dyshohet se qëllon me fishekë gome. Megjithatë, policia ende nuk ka reaguar zyrtarisht.
Probleme ka pasur edhe transporti publik, ndërsa dëmet në kryeqytetin shqiptar janë të pallogaritshme.
LULJETA NDOKA
