Tiranë, protesta del jashtë kontrollit

17.10.2026 20:31

Ka dalë jashtë çdo kontrolli protesta e studentëve dhe qytetarëve në ditën e pestë....

Ka dalë jashtë çdo kontrolli protesta e studentëve dhe qytetarëve në ditën e pestë. Pasditja u përshkallëzua me sulme të dhunshme ndaj Gjykatës së Lartë dhe godinës së Bankës së Shqipërisë te ish-Hotel Dajti. Një grup protestuesish të maskuar sulmuan fillimisht me shufra hekuri godinën e ish-Hotel Dajtit dhe më pas hodhën molotovë, duke përfshirë në flakë hyrjen e saj. Zjarr i frikshëm shpërtheu edhe te bizneset në katin e parë të godinës së Gjykatës së Lartë që u përhap edhe në disa zyra në ambientet e Gjykatës së Lartë. Flakët u fikën pas ndërhyrjes së zjarrfikëses.

Duke parë situatën mjaft të vështirë në terren u paraqitën forcat RENEA, ndërsa policia hyri me makina në Sheshin Skënderbej duke shpërndarë e arrestuar protestuesit. Këta të fundit nuk u ndalën por vijuan sulmet rrugëve të Tiranës. Ende nuk ka asnjë reagim nga Qeveria, edhe pse pas 5 ditësh protestuesit i kanë vënë flakën Tiranës duke kërkuar dorëheqjen e tij

Prej orësh protestuesit sulmojnë policinë me gurë, molotovë e fishekzjarrë. Në total sot janë 21 efektivë dhe 12 protestues të lënduar.

Disa protestues mbetën pa ndjenja e të lënduar, dhe po ashtu edhe disa efektivë policie, njëri prej të cilëve u përfshi nga flakët. Protestuesit kanë shkulur një pjesë të madhe të pllakave të bulevardit, duke i përdorur për të gjuajtur drejt policisë.

LULJETA NDOKA