Ekonomi

EShS: Varfëria në RMV arrin në 21.9%

17.10.2026 16:11

Në RMV çdo i pesti qytetar jeton me të ardhura nën vijën e varfërisë...

Në RMV çdo i pesti qytetar jeton me të ardhura nën vijën e varfërisë, dhe çdo e dyta familje e tillë përballet me sfida serioze ekzistenciale, thonë të dhënat e siguruara nga Entit Shtetëror të Statistikave. Sipas këtyre të dhënave shkalla e varfërisë në Maqedoni është 21.9 përqind.
 
“Baza e përllogaritjeve për varfërinë janë të ardhurat, ndërsa pragu i varfërisë është definuar në 60% nga të ardhurat mediale ekuivalente. Shkalla e personave të varfër në Republikën e Maqedonisë së Veriut është 21.9%. Duke analizuar sipas llojeve të ekonomive familjare, shkalla e varfërisë së ekonomive familjare të përbëra nga dy të rritur dhe dy fëmijë në përkujdesje, gjatë vitit 2024 është 17.1%. Sipas statusit më frekuentues të aktivitetit ekonomik, shkalla e varfërisë te personat e punësuar është 7.9%, derisa shkalla e pensionistëve të varfër është 12.0%.”, thonë nga Entit Shtetëror i Statistikave.
 
Baush: Gjendja ndryshohet me politika afatgjate
 
Profesori i Ekonomisë Abil Baushi, për TVM2 thotë se këto të dhëna janë shqetësuese, por edhe më shqetësues është fakti se po rritet edhe dallimi mes të pasurve dhe të varfërve.
 
“Po flasim për një koncept në të cilin ne në mënyrë permanente dhe numrat dhe statistikat tregojnë se varfëria po thellohet sa më shumë, por ajo që më së shumti më brengos është se, këtu nuk po thellohet vetëm varfëria, por po thellohet edhe dallimi mes të pasurve dhe të atyre të cilat kalojnë në skajshmëri. Gjëja më e rëndë është se, kjo vazhdon të thellohet, por nuk meret ndonjë mënyrë strukturore se si të dalim prej kësaj gjendje.”, u shpreh për TVM2 profesori universitar Abil Baushi.
 
Sipas llogaritjeve zyrtare, vija e varfërisë për një familje me një anëtar është 178,286 denarë në vit. Për një familje me katër anëtarë, të përbërë nga dy të rritur dhe dy fëmijë nën 14 vjeç, vija është vendosur në 374,400 denarë në vit. Por profesori Baushi po ashtu ka theksuar se këto gjëra nuk ndryshohen me politika sociale afatshkurta.
 
“Me politika sociale afatshkurta kjo nuk bëhet, kjo bëhet me politika afatgjate makroekonomike, do të duhet patjetër të investohet më reforma strukturore në arsim, në shëndetësi, njerëz të cilët do të investojnë në inovacione.”, tha Baushi për TVM2.
 
Të dhënat statistikore tregojnë gjithashtu se pa transfertat sociale dhe pensionet, shkalla e varfërisë do të arrinte në 39.4 përqind. 
 
FITIM KRYEZIU