Maqedoni
Inteligjenca artificiale në shkolla, Mustafa pro trajnimit të mësimdhënësve
17.10.2026 16:32
Përdorimi i inteligjencës artificiale në arsim duhet të shoqërohet me kujdes të veçantë...

Përdorimi i inteligjencës artificiale në arsim duhet të shoqërohet me kujdes të veçantë, pasi ndikimi i saj në procesin e të nxënit dhe zhvillimin e mendimit kritik te nxënësit mbetet një çështje që ngre shqetësime, thotë profesori Avzi Mustafa. Në një prononcim për TVM2, ai shpreh rezerva për futjen e inteligjencës artificiale si lëndë zgjedhore në shkolla, duke vlerësuar se mbështetja e tepruar te teknologjia mund të frenojë zhvillimin e aftësive të të menduarit të pavarur dhe të krijojë dallime mes nxënësve që mësojnë përmes arsyetimit logjik dhe atyre që mbështeten te inteligjenca artificiale.
“Në inteligjencë artificiale është grumbulluar gjithë përvoja njerëzore e deritashme dhe prej atyre varet se çka zgjedh. Mund të ndodhë që të jetë argumentuese. Në shkollë i mësojmë njohuritë që janë të verifikuara jo me hipoteza prandaj mund të jetë edhe gabimisht ta çoj nëpërmjet atyre algoritmeve në një rrugë të pakthyeshme.”, u shpreh për TVM2 profesori Avzi Mustafa.
Mustafa, skeptik për futjen si lëndë
Ndërkohë, Byroja për Zhvillimin e Arsimit në RMV po ndërmerr hapa për përgatitjen e mësimdhënësve për përdorimin e inteligjencës artificiale në procesin arsimor, përmes trajnimeve që synojnë njohjen e tyre me mundësitë që ofron kjo teknologji. Në këtë drejtim, profesori Mustafa nuk e kundërshton domosdoshmërisht njohjen e arsimtarëve me inteligjencën artificiale, por mbetet skeptik për rolin që ajo duhet të ketë në mësimdhënie.
“Mund ta përdorin arsimtarët, nëse kanë projekte shkollat. Aty mund ta përdorin që të jep ide mirëpo, jo të mirret ajo, por në bazë të asaj që nxënësit t’i detyrojnë ndryshe nga inteligjenca artificiale. Drejtpërdrejt në dhënien e mësimit duhet të jetë libri dhe arsimtari.”, u shpreh Mustafa për TVM2.
Trajnimi i arsimtarëve për përdorimin e inteligjencës artificiale në RMV synon t’i aftësojë ata që ta shfrytëzojnë këtë teknologji si mjet ndihmës në procesin mësimor, për përgatitjen e materialeve, planifikimin e orëve dhe lehtësimin e punës me nxënësit. Qëllimi është që mësimdhënësit të njihen me mundësitë që ofron inteligjenca artificiale, por edhe me mënyrën se si ajo mund të përdoret në mënyrë të përgjegjshme dhe kritike, pa cenuar rolin e arsimtarit dhe zhvillimin e mendimit të pavarur te nxënësit. Ndryshe, duke filluar nga viti shkollor 2026/2027, nxënësit e shkollave të mesme në vend do të kenë mundësi të zgjedhin lëndën ‘Hyrje në inteligjencën artificiale’, e cila synon t’i njohë me funksionimin, përdorimin dhe zbatimin e përgjegjshëm të kësaj teknologjie.
SARA KAJOLLI
