Botë

Francë, protesta masive përleshje me policinë

17.10.2026 17:10

Dhjetëra mijëra qytetarë kanë dalë në rrugët e Francës në protesta kundër rritjes së kostos së jetesës...

Dhjetëra mijëra qytetarë kanë dalë në rrugët e Francës në protesta kundër rritjes së kostos së jetesës, pabarazisë sociale dhe përkeqësimit të kushteve në arsim. Demonstratat janë shoqëruar me përleshje të dhunshme mes protestuesve dhe policisë, ndërsa autoritetet kanë përdorur gaz lotsjellës për të shpërndarë turmat. 
 
Numri i të arrestuarve është rritur në rreth 300, ka njoftuar Ministria e Brendshme e Francës. Arrestimet lidhen me incidente të dhunshme në Paris, Marsejë, Renë, Tuluzë dhe Anzhe, ku persona të maskuar dyshohet se kanë tentuar të kryejnë grabitje, kanë ndezur objekte në rrugë, janë përleshur me policinë dhe kanë sulmuar institucione shtetërore dhe media. 
 
Policia ndërhyri në disa zona të Parisit, ku protestuesit e maskuar lëviznin mes reve të gazit lotsjellës dhe objekteve të djegura. Ministria e Brendshme fajësoi për dhunën grupet që i cilësoi si të ekstremit të majtë. 
 
Protestat e para nisën muajin e kaluar në shkollat e mesme të periferive veriore të Parisit, ku nxënësit kundërshtuan mungesën e mësimdhënësve dhe kushtet e amortizuara të objekteve shkollore. Pakënaqësia u zgjerua më pas në një lëvizje kombëtare kundër pabarazisë, financimit të pamjaftueshëm të shërbimeve publike dhe rënies së standardit të jetesës. 
 
Valës së protestave i është shtuar edhe pakënaqësia për situatën ekonomike në vend. Franca po përballet me pasiguri në tregjet financiare, ndërsa investitorët po tërheqin kapitalin nga borxhi shtetëror francez, duke rritur kostot e huamarrjes në nivele që nuk janë parë prej më shumë se dy dekadash. 
 
FLORIJE BELULI KAMBERI