Rajon

Protestat në Shqipëri, reagon ambasada e SHBA-ve në Tiranë

18.10.2026 11:59

Ambasada e SHBA-ve në Tiranë ka reaguar pas përshkallëzimit të situatës gjatë protestave në Shqipëri...

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë ka reaguar pas përshkallëzimit të situatës gjatë protestave në Shqipëri, duke dënuar dhunën, përleshjet dhe dëmtimin e pronës publike e private. Në një komunikatë zyrtare, përfaqësia diplomatike amerikane u ka bërë thirrje qytetarëve që të drejtën për protestë ta ushtrojnë në mënyrë paqësore, ndërsa ka kërkuar vetëpërmbajtje nga të gjitha palët.
 
“Dhuna, trazirat, lëndimi fizik i të tjerëve dhe shkatërrimi i pronës nuk janë angazhim qytetar. U bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve që zgjedhin të demonstrojnë ta ushtrojnë të drejtën e tyre për protestë në mënyrë paqësore, pa akte të dhunshme. U bëjmë thirrje të gjitha palëve për vetëpërmbajtje dhe qetësi.”, theksohet në qëndrimin e ambasadës.
 
Reagimi vjen pas protestave të shoqëruara me tensione të larta në Tiranë, ku hedhja e molotovëve dhe gurëve, si dhe përplasjet me policinë, shkaktuan lëndimin e disa efektivëve policor dhe protestuesve. Përveç të lënduarve, incidentet shkaktuan edhe dëme materiale në disa ndërtesa shtetërore dhe automjete.