Kriza greke, Greqia optimiste, ofron propozime të reja; Junker:Progres në negociata me Greqinë

22.06.2015 16:20

Para samitit të krizës për Greqinë në Bruksel, ku liderët e Bashkimit Evropian do të përpiqen të gjejnë zgjidhjen e ngërçit të krijuar prej borxhit të saj, kryeministri grek, Alekis Cipras, ka paraqitur propozime të reja në vazhdën e përpjekjeve për të parandaluar dështimin në shlyerjen e huasë prej 1.6 miliard eurosh, që Greqia i detyrohet FMN-së...

Pas propozimeve të kryeministrit grek për arritjen e marrëveshjes për krizën debitore të vendit, vërehet një optimizëm për arritje të marrëveshjes mes Greqisë dhe kreditorëve, e cila duhet të çojë drejt një zgjidhjeje të përhershme të krizës.

Kryeministri grek, Aleksis Cipras, para takimit të sotëm me kryetarin e Komisionit Evropian, Zhan ¬Klod Junker, ka deklaruar se Greqia duhet të kthehet drejt rritjes ekonomike dhe mbetet në eurozonë. Sipas tij, "është koha për zgjidhje reale dhe të realizueshme, e cila do t'i mundësojë Greqisë të kthehet drejt rritjes në korniza të eurozonës, në kushte të drejtësisë sociale".

Ndërkaq, kryetari i Komisionit Evropian, Zhan Klod Junker, tha se gjatë fundjavës së kaluar është arritur progres në negociata me Greqinë "por ende nuk ka marrëveshje". "Nuk e di nëse sot do të kemi marrëveshje"- shtoi Junker.

Ndërkohë, eurokomisari për çështje ekonomike, Pjer Moskovski, sot ka deklaruar se pasi Athina parashtroi propozime të reja, "do të gjejë zgjidhje për krizën greke". Moskovski theksoi se është "ditë vendimtare" për Greqinë.

"Mendoj se në fund të ditës do fitojë vullneti politik i të gjithëve, që të ruhet euroja, kjo e mirë e përbashkët, dhe të sigurohet se kjo valutë e vetme është proces i pakthyeshëm"- shtoi eurokomisari.

Greqia po negocion me kreditorët për pagesën e premtuar më herët të ndihmës kreditore prej 7.2 miliard euro, ndërsa deri më 30 qershor duhet t’i kthejë 1.5 miliard euro FMN-së. Greqia dhe kreditorët nuk mund të arrijnë marrëveshje, sepse pengesë kryesore paraqesin reformat shtesë dhe kursimet që kërkojnë kreditorët nga Athina. Samiti i sotëm ndoshta është shansi i fundit për shpëtim të Greqisë dhe euros. (Florije Kamberi, TVM2)