Botë
Rumania rrëzon dy dronë mbi Detin e Zi, ndërhyjnë avionët luftarakë F-16
18.10.2026 13:03
Forcat Ajrore të Rumanisë kanë rrëzuar dy dronë që kishin hyrë në hapësirën ajrore të vendit mbi Detin e Zi...

Forcat Ajrore të Rumanisë kanë rrëzuar dy dronë që kishin hyrë në hapësirën ajrore të vendit mbi Detin e Zi, në një tjetër incident që ka ngritur shqetësime për sigurinë në rajon.
Ministri rumun i Mbrojtjes, Radu Miruta, bëri të ditur se droni i parë u rrëzua vetëm dy minuta pasi hyri në hapësirën ajrore rumune, rreth 25 kilometra në juglindje të qytetit Sulina. Droni i dytë u neutralizua pak minuta më vonë, rreth 20 kilometra në lindje të të njëjtit qytet.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, në operacion u angazhuan dy avionë luftarakë F-16, të cilët u ngritën nga baza ajrore Borcea, pasi sistemet e radarëve zbuluan disa objektiva të dyshimta. Autoritetet konfirmuan se bëhej fjalë për dronë sulmues të tipit Geran, të pajisur me motorë reaktivë.
Ministrja e Jashtme rumune, Oana Toiu, theksoi rëndësinë strategjike të Detit të Zi për tregtinë ndërkombëtare dhe sigurinë energjetike, duke njoftuar se NATO-ja do të diskutojë forcimin e mbrojtjes në këtë rajon.
Rumania, si vend anëtar i NATO-s në krahun lindor të Aleancës, është përballur muajt e fundit me incidente të përsëritura me dronë, në sfondin e luftës së vazhdueshme të Rusisë kundër Ukrainës.
