Rajon

Protestat në Shqipëri, Rama: Nuk janë lëvizje studentore, por kurth

18.10.2026 14:27

Rama i ka cilësuar protestat e ditëve të fundit në Tiranë si një kurth të organizuar për të destabilizuar vendin...

Kryeministri shqiptar, Edi Rama, i ka cilësuar protestat e ditëve të fundit në Tiranë si një kurth të organizuar për të destabilizuar vendin, duke akuzuar elementë të ekstremizuar dhe aktorë të huaj për nxitjen e dhunës. Në një deklaratë publike, Rama tha se protestat nuk përfaqësojnë një lëvizje autentike studentore, ndërsa dënoi sulmet ndaj policisë dhe dëmtimin e pronës publike e private.
 
Kryeministri hodhi akuza edhe për ndërhyrje të jashtme dhe fushata dezinformimi, duke përmendur Rusinë, Iranin dhe elementë politikë që, sipas tij, synojnë të pengojnë rrugën evropiane të Shqipërisë. Ai theksoi se është i hapur për dialog me studentët, por nënvizoi se deri tani, sipas tij, nuk janë paraqitur kërkesa konkrete përtej thirrjeve për dorëheqje dhe burgosje.
 
Duke iu përgjigjur thirrjeve për dorëheqje, Rama tha se nuk e konsideron çështjen si betejë për pushtetin personal, por si çështje të së ardhmes evropiane të vendit dhe të negociatave me Bashkimin Evropian.
 
“Kjo është një dorë e huaj. Dje në mënyrë të befasishme për shumëkënd, por që ma çonin vazhdimisht, por edhe mua, ‘’babai’’ i Vladimiroviçit, Vladimiroviç Putinit foli; ‘babai’ ideologjik, udhëheqësi shpirtëror, justifikuesi i të gjitha agresioneve kundër demokracisë dhe kundër perëndimit, mistifikuesi i Rusisë imperialiste foli, foli dhe tha; ‘’tani po, tani Shqipëria po tregon ngjyrën e vërtetë të saj, një popull kurajoz, një popull ortodoks, një popull sufistësh dhe ortodoksësh. Ne kemi shumë të dhëna, do vazhdojmë ta pasurojmë atë që kemi nisur qysh në krye të herës me interferencën në rrjetet sociale të atyre ‘’duarve të huaja’’, ku natyrisht një dorë tjetër është republika Khomeiniste e Iranit.”, deklaroi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
 
Berisha kërkon dorëheqjen
 
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka kërkuar sërish dorëheqjen e kryeministrit Rama, duke e cilësuar atë si të vetmen zgjidhje për rikthimin e normalitetit në vend. Berisha akuzoi kryeministrin se përmes reagimeve të tij publike nuk po arrin të qetësojë situatën.
 
“Zgjidhja është vetëm një: jep dorëheqjen menjëherë. Dhuna e vërtetë nuk është ajo që ti mashtron. Po si ke fytyrë dhe del e flet për dhunë para shqiptarëve. Del në mëngjes dhe flet mbi një orë, e quan protestën e mbështetur nga mbarë bota, si flamë. Fëmijët e Shqipërisë i quan të verbër dhe kokëboshë. Akuzon studentët e të rinjtë për dhunë mor faqezi. Jo, Edi Rama, ajo nuk është dhunë. Ajo që ka ndodhur këto ditë është direkt pasojë e dhunës tënde. Pasojë e dhunës tënde 13-vjeçare.”, deklaroi kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha.
 
Pas përshkallëzimit të situatës gjatë protestave në Shqipëri ka reaguar edhe Ambasada e Shteteve t Bashkuara të Amerikës në Tiranë, duke dënuar dhunën, përleshjet dhe dëmtimin e pronës publike e private. Në një komunikatë zyrtare, përfaqësia diplomatike amerikane u ka bërë thirrje qytetarëve që të drejtën për protestë ta ushtrojnë në mënyrë paqësore, ndërsa ka kërkuar vetëpërmbajtje nga të gjitha palët. 
 
FLORIJE KAMBERI