Maqedoni

Të shtëna në Saraj, plagoset një person

18.10.2026 15:15

Të shtëna me armë zjarri kanë shqetësuar banorët e Sarajit...

Të shtëna me armë zjarri kanë shqetësuar banorët e Sarajit. Një person me inicialet M.I. është plagosur mëngjesin e sotëm, në hyrje të vendbanimit, derisa ndodhej në veturën e tij, pranë një marketi. Sipas MPB-së, ndaj tij është qëlluar me armë zjarri nga një person i panjohur. Rasti është denoncuar nga vetë i plagosuri, ndërsa rrethanat e incidentit ende nuk janë zbardhur plotësisht. Ai ka pësuar lëndime në dorë dhe është dërguar për ndihmë mjekësore në spital.
 
Qytetarët e anketuar nga TVM2 thonë se nuk kanë shumë informacione për incidentin. Shumica prej tyre pohojnë se nuk i kanë dëgjuar të shtënat, ndërsa disa thonë se në vendngjarje kanë parë vetëm policinë, e cila po kryente kontrolle.
 
“Jo, jo, nuk e di se çfarë ka ndodhur. Për herë të parë po dëgjojë nga juve.”, u shpreh një qytetar.
 
“As nuk kam parë e as nuk kam dëgjuar.”, tha një qytetar.
 
“Nuk kemi dëgjuar asgjë, vetëm e dimë se ka blerë një njeri këtu diçka dhe e kishin plagosur. Se kush nga është nuk e dimë. Personi i lënduar i Sarajit është i fshatit Krushopek, ashtu na thanë, dhe kishte polici.”, deklaroi një qytetar.
 
“Tani jemi duke kaluar kësaj rruge dhe nuk e dimë se çfarë ka ndodhur. Po policia ka qenë këtu por, se çfarë ka ndodhur nuk e dimë.”, u shpreh një qytetar.
 
“Në xhami dëgjova se ka pas të shtëna me armë zjarri, por se çfarë ka ndodhur nuk e dimë.”, tha një qytetar.
 
Nga MPB-ja bëjnë të ditur se policia ka gjetur katër gëzhoja të municionit të pistoletës në vendngjarje. Po ndërmerren masa për gjetjen e autorit dhe zbardhjen e plotë të rastit, ndërsa deri më tani nuk ka informacione të tjera zyrtare për motivin  dhe shkaqet e të shtënave.
 
“Më 18.10.2026, në orën 09:50, në SPB Shkup, M.I. ka denoncuar se rreth orës 09:30, në afërsi të një marketi në fshatin Saraj, derisa ndodhej në një veturë të tipit “Touran”, një person kishte qëlluar me armë zjarri në drejtim të tij. Menjëherë pas denoncimit, në vendngjarje kanë mbërritur nëpunës policorë nga SPB Shkup, të cilët kanë gjetur katër gëzhoja të municionit të pistoletës. Nga xhami i dëmtuar i veturës, M.I. ka pësuar lëndim në dorë. Është njoftuar ekipi i Ndihmës së Shpejtë Mjekësore. Po ndërmerren masa për gjetjen e autorit dhe zbardhjen e rastit.”, thuhet në njoftimin e MPB-së. 
 
Deri më tani, nuk ka informacione të tjera zyrtare nëse të shtënave u ka paraprirë ndonjë mosmarrëveshje, apo nëse i plagosuri ka denoncuar më herët ndonjë problem me persona të tjerë.
 
REXHEP QAMILI