Tiranë, vazhdon përshkallëzimi i protestave

18.10.2026 19:53

E njëjta panoramë dhune dhe kaosi është përsëritur edhe në ditën e gjashtë të protestës në Tiranë...

E njëjta panoramë dhune dhe kaosi është përsëritur edhe në ditën e gjashtë të protestës në Tiranë, meprtestues të dhunshëm të cilët gjuajtën me gurë, molotovë në drejtim të policisë dhe institucioneve. Kësaj here, pre e dhunës ra edhe selia e Partisë Socialiste në pushtet, komisariati numër 3 dhe dera kryesore e Ministrisë së Brendshme. 
 
Të plagosur mbetën disa efektivë policie dhe shumë protestues. 
 
Për orë të tëra, rrugët e Tiranës janë kthyer në arenë përplasjesh mes protestuesve dhe policisë, me sulme të vazhdueshme pranë Ministrisë së Arsimit, Kryeministrisë, Ministrisë së Brendshme dhe Sheshit Skënderbeu. Protestuesit kanë hedhur breshëri gurësh, molotovësh e fishekzjarrësh drejt efektivëve, ndërsa policia ka ndërhyrë me ujë me presion dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën. Ndërkohë, grupe protestuesish vijojnë të lëvizin nëpër rrugët e kryeqytetit, ndërsa një grup u kthye sërish te selia e PS.
 
Ndryshe nga ditët e mëparshme, protesta sot nisi më vonë dhe sulmet e para u regjistruan rreth orës 14.00. Gjatë hedhjes së gurëve mbeti e lënduar një gazetare dhe një fëmijë.
 
Edhe sot në rrugë zbarkuan forcat RENEA. Rezistenca e protuesve duket mjaft e madhe, pavarësisht se shpesh shpërndahen me ujë, gaz lotsjellës dhe spraj me piper.
 
LULJETA NDOKA