Maqedoni

Zgjedhjet në Bërvenicë, Radiçevski kryeson me 53,23%, Huseini në vendin e dytë

18.10.2026 20:26

Radiçevski kryeson në zgjedhjet e parakohshme lokale për kryetar të Komunës së Bërvenicës

Kandidati i VMRO-DPMNE-së, Stojanço Radiçevski, kryeson në zgjedhjet e parakohshme lokale për kryetar të Komunës së Bërvenicës, sipas rezultateve preliminare të përditësuara në orën 20:19.
 
Nga gjithsej 24 vendvotime, deri më tani janë përpunuar rezultatet e pesë prej tyre, përkatësisht 20,8 për qind.
 
Sipas të dhënave të fundit, Radiçevski ka siguruar 891 vota ose 53,23 për qind. Në vendin e dytë është  kandidati i koalicionit VLEN, Jakup Huseini, me 438 vota ose 26,16 për qind, ndërsa në vend të tretë është kandidati i LSDM-së, Jovica Radeski, i cili ka marrë 226 vota ose 13,50 për qind.
 
Kandidati i AKI-së, Arkin Jahiji, ka siguruar 78 vota ose 4,66 për qind, ndërsa kandidati i pavarur Dushan Bogdanovski ka marrë 16 vota ose 0,96 për qind. Kandidatja e pavarur Arife Idrizi deri më tani nuk ka regjistruar asnjë votë.
 
Nga 3.040 votues të regjistruar në pesë vendvotimet e përpunuara, kanë votuar gjithsej 1.674 qytetarë, që paraqet dalje prej 55,07 për qind. Janë regjistruar edhe 25 fletëvotime të pavlefshme.
 
Në Komunën e Bërvenicës janë gjithsej 16.256 votues të regjistruar. Rezultatet mbeten preliminare dhe mund të ndryshojnë me përpunimin e votave nga vendvotimet e tjera.