Maqedoni
Zgjedhjet në Bërvenicë, Jahiji kryeson me 35,71% pas numërimit të votave në 15 nga 24 vendvotime
18.10.2026 21:08
Jahiji ka marrë kryesimin, duke lënë pas kandidatin e VMRO-DPMNE-së...

Ka ndryshuar renditja e kandidatëve në zgjedhjet e parakohshme për kryetar të Komunës së Bërvenicës. Kandidati i AKI-së, Arkin Jahiji, ka marrë kryesimin, duke lënë pas kandidatin e VMRO-DPMNE-së, Stojanço Radiçevski, i cili udhëhiqte në rezultatet e mëparshme.
Sipas rezultateve preliminare të përditësuara në orën 21:05, nga gjithsej 24 vendvotime janë përpunuar rezultatet e 15 prej tyre, përkatësisht 62,5 për qind.
Jahiji ka siguruar 1.471 vota ose 35,71 për qind, ndërsa Radiçevski renditet i dyti me 1.265 vota ose 30,71 për qind. Në vendin e tretë është kandidati i koalicionit VLEN, Jakup Huseini, me 963 vota ose 23,38 për qind.
Kandidati i LSDM-së, Jovica Radeski, ka marrë 318 vota ose 7,72 për qind. Pas tij renditen kandidati i pavarur Dushan Bogdanovski me 20 vota ose 0,49 për qind dhe kandidatja e pavarur Arife Idrizi me 12 vota ose 0,29 për qind.
Nga 9.047 votues të regjistruar në 15 vendvotimet e përpunuara, të drejtën e votës e kanë shfrytëzuar 4.119 qytetarë, që paraqet dalje prej 45,53 për qind. Ndërkohë, janë regjistruar 70 fletëvotime të pavlefshme.
Në Komunën e Bërvenicës janë gjithsej 16.256 votues të regjistruar. Rezultatet mbeten preliminare, ndërsa pritet përpunimi i votave nga nëntë vendvotimet e mbetura.
