Rajon

Tensione në selinë e PD-së, Berisha akuzon Ramën për skenar të organizuar, raportohet për një të lënduar

18.10.2026 21:29

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar pas tensioneve të regjistruara pranë selisë së partisë në Tiranë...

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar pas tensioneve të regjistruara pranë selisë së partisë në Tiranë, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama për një skenar të organizuar me qëllim përfshirjen e protestuesve në sulme ndaj selive të dy partive kryesore politike.
 
Në një deklaratë për mediat, Berisha pretendoi se gjatë protestës ishte përhapur qëllimisht informacioni se, meqenëse protestuesit nuk mund të hynin në Kryeministri, duhej të sulmonin selitë e Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike.
 
Sipas tij, ky plan kishte dështuar, pasi protestuesit nuk kishin pranuar të përfshiheshin në veprime kundër selisë së PD-së.
 
“Nuk ka pasur asnjë tentativë nga asnjë protestues që të kryejë dëmin më të vogël ndaj kësaj partie”, deklaroi Berisha.
 
Ai akuzoi gjithashtu forcat e policisë për përdorim të pajustifikuar të gazit lotsjellës në territorin e selisë së Partisë Demokratike, duke e cilësuar ndërhyrjen si shkelje të ligjit dhe Kushtetutës.
 
Ndërkohë, nga ambientet e selisë së PD-së është nxjerrë një person i dëmtuar, ndërsa në vendngjarje kanë mbërritur dy ambulanca. Ende nuk ka informacione të konfirmuara për gjendjen e tij shëndetësore dhe rrethanat në të cilat është lënduar.
 
Edhe përfaqësuesi i PD-së, Belind Këlliçi, ka akuzuar policinë se ka hedhur bombola gazi pranë selisë, pavarësisht se, sipas tij, nuk kishte pasur asnjë incident apo provokim.
 
Deri më tani, nuk ka një reagim zyrtar të policisë lidhur me akuzat e ngritura nga përfaqësuesit e opozitës.