Maqedoni
Luksemburg, ministrat e jashtëm filluan diskutimet për RM-në
22.06.2015 16:41
Ministrat e jashtëm të BE-së filluan në Luksemburg diskutimin dyditor për krizën politike në Maqedoni...

Shefat e diplomacive evropiane do të shqyrtojnë situatën aktuale dhe raportin e ekspertëve evropianë me rekomandimet urgjente për kapërcimin e krizës.
Në prill, këshilli nënvizoi shqetësimin e thellë lidhur me situatën e përkeqësuar në Maqedoni, por para fillimit të takimit askush nuk ka dashur të deklarohet se cila do të ishte zgjidhja e mundshme për daljen nga kriza.
Përfaqësuesja e lartë për politikë të jashtme dhe siguri të BE-së, Federika Mogerini, foli shkurt se në takim diskutohet edhe për Maqedoninë.
“Sot me ministrat e jashtëm të BE-së do të diskutojmë për energjinë, siç e dini kjo temë gjithnjë e më shumë po bëhet çështje e politikës së jashtme. Do të zhvillojmë takim të rëndësishëm me sekretarin e përgjithshëm të OKB-së, do të kemi diskutim strategjik mbi Azinë, si dhe do të diskutojmë për ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë”- deklaroi përfaqësuesja e lartë për politikë të jashtme dhe Siguri të BE-së, Federika Mogerini.
Gjetja e një zgjidhjeje për krizën është preokupim kryesor tashmë për BE-në, e cila, e përfshirë në kriza të tjera, si ajo ekonomike në Greqi, apo edhe kriza e emigrantëve, duket se nuk ka kohë edhe për një krizë tjetër pranë kufijve të saj.
Liderët politik ende nuk po arrijnë një marrëveshje përfundimtare, megjithëse në takimin e fundit u dakorduan të respektojnë marrëveshjen e dy qershorit.
BE vazhdon të kërkojë gjetjen e një zgjidhjeje politike nga liderët e katër partive kryesore në vend, zgjidhje që do të ishte në interes të qytetarëve dhe të interesave euroatlantike të vendit.
Konkluzionet mbi Maqedoninë dhe rekomandimet për më shumë fusha pritet të finalizohen në takimin e nesërm të ministrave të jashtëm të BE-së dhe më pas ato pritet të miratohen edhe nga shefat e qeverive dhe të shteteve të BE-së.
SANIJE KASAMI
