Maqedoni

Kumanovë, Çavkov dhe Savovski vizituan “Lagjen e trimave”

22.06.2015 16:59

Shqyrtim i situatës aktuale në zonën e “Lagjes së trimave”...

Shqyrtim i situatës aktuale në zonën e “Lagjes së trimave”, ku më 9 dhe 10 maj u zhvilluan përleshje të ashpra të armatosura dhe konfirmimi i  prioriteteve për veprim dhe përforcim të komunikimit mes policisë dhe qytetarëve, si dhe përforcimi i bashkëjetesës, ishin qëllim i vizitës së ministrit të Punëve të Brendshme, Mitko Çavkov, në ambientet e Bashkësisë Vendore “ Tode Mendoll”, që gjendet në “Lagjen e trimave” në Kumanovë. Çavkov në Kumanovë ishte i shoqëruar nga bashkëpunëtorë të tij, përfaqësues të OSBE-së, sektori joqeveritar dhe përfaqësues të Myftinisë së Kumanovës. 
 
“Sot patëm një takim me aktorë të përfshirë në aktivitete për bashkëpunim me policinë, me të cilët biseduam për të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me sigurinë e bashkësisë dhe respektimin e të drejtave dhe lirive të njeriut. Hapëm tema të cilat bashkërisht na tangojnë, si dhe tema suptile për radikalizimin e terrorizmit dhe dhunës”- theksoi ministri Çavkov.
 
Çavkov më tej theksoi se hetimi për ngjarjet në Kumanovë në pjesën e ingerencave të MPB janë kryer me të gjitha ekspertizat në vendin e ngjarjes dhe me marrjen e të gjitha gjurmëve të cilat do të shfrytëzohen në procedurën e mëtejme të hetuesisë. 
 
“Pritjet tona janë që Prokuroria Publike me një procedurë transparente gjyqësore t’i sqarojë të gjitha rrethanat për ngjarjet në Kumanovë. Deri më tani nuk ka kurrfarë kërkese për hetim ndërkombëtar të rastit dhe sipas bindjes sime as që ka nevojë për një gjë të këtillë”- tha mes tjerash ministri i Punëve të Brendshme, Mitko Çavkov.
 
NEXHAT AQIFI