Jurisprudenca në shqip, 12 provime në shqip, 2 në maqedonisht

19.10.2026 17:27

Modeli i ministrisë, për studentët thyen barrierë, por s’është i plotë...

12 provime në gjuhën shqipe dhe 2 në gjuhën maqedonase është modeli i ofruar nga Ministria e Drejtësisë për kërkesën studentore që provimi i jurisprudencës të mbahet në shqip. Nga takimi mes palëve që zgjati dy orë, përfaqësuesit studentorë e quajtën një lloj fitore në anën e tyre ku është thyer një barrierë, por jo si zgjidhje e plotë. Nuk do të ndalen derisa provimi i jurisprudencës si i tërë të jepet në gjuhën shqipe. Për çdo hap, siç tha Mevlan Ademi nga Lëvizja e Studentëve, do të konsultohen me studentët tjerë. Nuk duan ligj të ri, sepse zgjidhja, sipas Ademit, është në Kushtetutë dhe ligjet aktuale. 
 
“Fatkeqësisht nuk është i plotë. A jemi dakord me këtë, nuk jemi dakord. Arsyetim ligjor konkret nuk na u dha, sepse ato dy provime nuk do të mbahen në gjuhën shqipe. Është problemi tek lëndët. Unë e kuptoj se ka gjëra hap pas hapi, po ne nuk mund të mbajmë përgjegjësi dhe nuk mund të mbahemi peng se diku tjetër nuk zbatohet ligji…. Kundërshtuam dërgimin në Komisionin Venecian, e kemi përgjigjen nga Parlamenti Evropian, nuk na duhet përgjigje nga Komisioni Venecian. Parlamenti Evropian ka thënë shumë qartë: gjuha shqipe duhet të zbatohet tek të gjitha provimet shtetërore… Nëse votohet ky ligj i ri, nënkupton shkelje të një ligji që e kemi.”, - deklaroi përfaqësuesi studentor, Mevlan Ademi.
 
Ndërkohë, sipas ministrit Jeton Shasivari, çështja duhet trajtuar si juridike dhe institucionale. Pohoi se është vënë në angazhim të zgjidhjes së këtij problemi shumëvjeçar.
 
“Ndryshimet e propozuara synojnë të vendosin një ekuilibër të qartë ndërmjet respektimit të së drejtës për arsimim dhe përdorimit të gjuhës tjetër në të cilën kandidati i ka përfunduar studimet juridike, nga njëra anë, dhe garantimit të një sistemi gjyqësor unik, funksional dhe profesional nga ana tjetër. Ky model synon të sigurojë mundësi më të barabarta për kandidatët që kanë përfunduar studimet juridike në një gjuhë tjetër, duke ruajtur njëkohësisht standardin e unifikuar profesional që kërkohet për ushtrimin e funksioneve juridike.”, - theksoi ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari.
 
Sipas Shasivarit, ndryshimet nuk synojnë krijimin e sistemeve paralele për dhënien e jurisprudencës, por vendosjen e modelit të gjithëpërfshirjes gjuhësore dhe standardet profesionale që plotësojnë njëra-tjetrën. Propozimi pritet të dërgohet në Komisionin e Venecias më 11 apo 12 dhjetor dhe po në atë sesion do të merret vendim.
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU