Protestat në Tiranë, dita e shtatë me dhunë dhe përplasje, 303 të lënduar
19.10.2026 17:23
Në gjimnaze dhe shkolla, mësimi pothuaj nuk po zhvillohet normalisht...

Në Tiranë, protestat vijojnë në ditën e 7-të me gurë drejt policisë dhe molotovë dhe u përshkallëzuan me sulmin ndaj Gjykatës së Apelit, ku protestuesit shkaktuan mjaft dëme. Në gjimnaze dhe shkolla, mësimi pothuaj nuk po zhvillohet normalisht pavarësisht pretendimeve të Ministrisë së Arsimit. Pjesëmarrja në protestë është mjaft e lartë dhe është shtrirë edhe në qytete të tjera. Fillimisht protestuesit dogjën disa kosha dhe shkulën gurë nga rrugët për të goditur efektivët. Nuk munguan as kapsollat, ndërsa policia u përgjigj me gaz lotsjellës.
Kryeministri Edi Rama u takua sot me ministrin e Brendshëm dhe disa efektivë, ku tha publikisht se nuk ka negociata me njerëzit e dhunshëm. Ai i paralajmëroi të gjithë nxënësit e studentët që kryejnë akte të tilla se nuk do të marrin më as bursa dhe asnjë shërbim nga shteti. PD-në e akuzoi se po kërkon një 21 janar të dytë.
Reagim pati edhe Sali Berisha, i cili e akuzoi Ramën si diktatorin më gjakatar që ka parë historia.
Ndërkohë, përfaqësues të Parlamentit Evropian, Marco Tarquinio dhe Andreas Schieder, dënuan përshkallëzimin e dhunshëm në protesta. Ata shprehën shqetësim serioz për raportimet për përdorim të tepruar të forcës policore kundër protestuesve dhe në fund bënë thirrje për dialog.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, që nga dita e parë e protestës janë lënduar 303 persona. Nga këta, 190 janë punonjës të Policisë, 87 protestues dhe 26 kalimtarë.
LULJETA NDOKA
