Maqedoni
Emigrantët ilegalë, Çavkov: me ndryshimet në ligj po zbusim problemin
22.06.2015 18:10
Ministria e Punëve të Brendshme, duke u bazuar në ndryshimet e fundit të Ligjit për azil, po ndërmerr aktivitetet e duhura që të zbusë problematikën me emigrantët ilegalë...

Ministri, Mitko Çavkov, tha se jo vetëm Maqedonia, por edhe vendet e BE-së janë duke u përballur me procesin e emigracionit.
Ai tha se janë ndërmarrë të gjitha hapat për të parandaluar kontrabandimin e emigrantëve nga grupe të ndryshme kriminele.
“Konsideroj se me zbatimin e këtij ligji ne në një farë forme parandalojmë që emigrantët të mos i nënshtrohen grupeve kriminele. Emigrantët kanë të drejtë me ligj që të shfrytëzojnë transportin publik, për 72 orë mund që të kërkojnë azil, ashtu që mendoj se tani në formën e duhur i menaxhojmë këto probleme. Më duhet të them se kjo situatë do të vazhdojë edhe më tej, pasi që e dini se edhe në nivel të BE-së për çdo ditë po zhvillohen debate të ndryshme dhe kërkohen zgjidhje afatgjate. Jemi dëshmitarë se edhe në BE nuk është gjetur zgjidhje gjithpërfshirëse për këtë problem”- deklaroi ministri i Punëve të Brendshme, Mitko Çavkov.
Policia periudhën që shkoi realizoi dy aksione për parandalimin e kontrabandimit me emigrantë, të cilët, sipas MPB-së, veprojnë një periudhë më të gjatë.
Ministri Çavkov thotë se vendi po bën përpjekje maksimale të bashkëpunimit ndërkombëtar, e më saktë duke shtuar aktivitete të parandalimit të depërtimit të emigrantëve ilegalë në territorin e vendit.
Bashkëpunimi është shtuar edhe me autoritet serbe.
MERAL ISMAILI
