Maqedoni
Rasti Mihajllova, MPJ: Deklaratat e zyrtarëve Bullgar janë fyese
19.10.2026 18:32
Ministria e Punëve të Jashtme e RMV-së e thirri të ngarkuarin me punë në Ambasadën bullgare...

Ministria e Punëve të Jashtme e RMV-së e thirri të ngarkuarin me punë në Ambasadën bullgare pas deklaratave të ministrit të Brendshëm, Ivan Demerxhiev, dhe ambasadorit Zheljazko Radukov lidhur me rastin e Iva Mihajllovës. Nga MPJ-ja vlerësojnë se deklaratat janë fyese dhe provokuese, si dhe përbëjnë ndërhyrje në punët e brendshme të shtetit.
Deklarata e ministrit të Brendshëm të Republikës së Bullgarisë, Demerxhiev, lidhur me rastin e Iva Mihajllovës, është fyese dhe provokuese. Ndërkaq, deklarata e ambasadorit Zheljazko Radukov për televizionin bullgar BTV përbën ndërhyrje të drejtpërdrejtë në punët e brendshme të shtetit tonë.
Kjo iu bë e ditur një përfaqësuesi të Ambasadës së Republikës së Bullgarisë, i cili ushtron funksionin e të ngarkuarit me punë dhe që u thirr në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Maqedonisë. U theksua veçanërisht se provokime të tilla e largojnë dialogun dypalësh nga korniza në të cilën duhet të zhvillohen marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë. Në një intervistë të dhënë para dy ditësh, ministri bullgar Demerxhiev përsëriti se autoritetet bullgare nuk janë në kërkim të Mihajllovës dhe se nuk kanë ndërmend t’ua dorëzojnë atë autoriteteve maqedonase.
Ndërkaq, ambasadori Radukov, në një deklaratë të dhënë dje, shprehu dyshime se Mihajllova është larguar nga Maqedonia pa dijeninë e autoriteteve, megjithëse theksoi se nuk mund ta konfirmojë këtë.
Nga Ministria e Drejtësisë presin konfirmim zyrtar se Mihajllova është vënë nën kontrollin e autoriteteve bullgare. Mihajllova u arratis nga vendi, pavarësisht masave të kujdesit të vendosura ndaj saj. Gjykata e Koçanit i caktoi asaj 30 ditë paraburgim dhe u lëshua një fletarrestim ndërkombëtar. Ajo akuzohet në një procedurë që lidhet me një aksident trafiku me pasoja fatale.
