Botë

Itali, alarme për bomba në shkolla, evakuohen dhjetëra godina pas kërcënimeve anonime

20.10.2026 09:35

Rreth 50 godina shkollore në disa qytete të Italisë janë evakuuar pas një serie kërcënimesh anonime për bomba...

Rreth 50 godina shkollore në disa qytete të Italisë janë evakuuar gjatë ditës së djeshme pas një serie kërcënimesh anonime për bomba, të dërguara përmes postës elektronike. Autoritetet kanë ndërhyrë për kontrollimin e objekteve, ndërsa deri më tani nuk janë gjetur mjete shpërthyese.
 
Alarmet janë regjistruar në provincat e Veronës, Padovës, Arezzos, Luccas dhe në qytetin Chieti, duke shkaktuar ndërprerjen e mësimit dhe evakuimin e mijëra nxënësve e punonjësve të shkollave.
 
Në provincën e Veronës janë evakuuar 27 godina shkollore, nga kopshtet deri te shkollat e mesme. Prindërit janë njoftuar të marrin fëmijët, ndërsa forcat e rendit kanë nisur kontrollet e sigurisë.
 
Në Arezzo, rreth 600 nxënës dhe punonjës të liceut Vasari janë larguar nga godina, ndërsa në provincën e Luccas janë evakuuar 11 objekte shkollore. Alarme të ngjashme janë raportuar edhe në Padova.
 
Ndërkohë, në Chieti janë evakuuar tetë godina shkollore me rreth një mijë nxënës. Autoritetet lokale kanë sqaruar se masa është marrë vetëm për institucionet e prekura nga kërcënimet dhe jo për të gjitha shkollat e qytetit.
 
Kontrollet e kryera nga policia, karabinierët dhe njësitë e specializuara nuk kanë zbuluar praninë e eksplozivëve në objektet e verifikuara.
 
Autoritetet italiane po vazhdojnë hetimet për të identifikuar autorët dhe origjinën e mesazheve anonime, ndërsa evakuimet janë ndërmarrë si masë parandaluese për sigurinë e nxënësve dhe personelit shkollor.