San Antonio dhe Oklahoma City, favoritët kryesorë

20.10.2026 13:59

Finalistët e sezonit të kaluar, San Antonio Spurs, hyjnë në sezonin e ri me ambicie të larta...

Finalistët e sezonit të kaluar, San Antonio Spurs, hyjnë në sezonin e ri me ambicie të larta. Skuadra udhëhiqet nga Victor Wembanyama, qendra franceze 22-vjeçare, i cili sezonin e kaluar u shpall lojtari më i mirë mbrojtës i ligës. Krahas tij, në ekip janë De'Aaron Fox, Stephon Castle dhe Dylan Harper. 
 
Spurs kanë një nga përbërjet më të reja dhe më premtuese në garë. Sezonin e kaluar regjistruan 62 fitore dhe arritën deri në finale, ku u mposhtën nga New Yorku. Sipas një ankete të zhvilluar mes menaxherëve të përgjithshëm të klubeve të NBA-së, 50 për qind e tyre mendojnë se San Antonio do ta fitojë titullin. 
 
Menjëherë pas tij renditet Oklahoma City, që mori 43 për qind të votave. Thunder u shpall kampion në vitin 2025, ndërsa sezonin e kaluar e përfundoi me bilancin më të mirë në ligë: 64 fitore dhe 18 humbje. 
 
Në finalen e Konferencës Perëndimore, skuadra u eliminua pikërisht nga San Antonio. Lojtari kryesor i Oklahomës vazhdon të jetë Shai Gilgeous-Alexander, dy herë radhazi fitues i çmimit MVP të ligës. Krahas tij, lojtarë kyç janë Chet Holmgren dhe Jalen Williams, ndaj pritet që Thunder të jetë sërish ndër skuadrat më të mira të Perëndimit.