Provimet e jurisprudencës, Selmani: Mjete të vjetra përballë gjeneratës së re
Profesori universitar Bashkim Selmani...

Profesori universitar Bashkim Selmani, vlerëson pozitivisht gatishmërinë e ministrit të Drejtësisë, Jeton Shazivari, për të dialoguar me studentët dhe për t'u ballafaquar me argumentet e tyre në lidhje me provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe, por shpreh rezerva për zvarritjen e procesit me kërkesën për opinion këshillimor nga Komisioni i Venecias.
Sipas tij, konsultimi me institucionet ndërkombëtare nuk duhet të shndërrohet në mekanizëm për shtyrjen e zgjidhjes së kësaj çështjeje. Ai njëherësh e vlerëson si të drejtë elementare kërkesën e studentëve shqiptarë për provime në gjuhën shqipe.
“Fatkeqësisht këtë nuk e kupton Qeveria dhe ministria se ballafaqohen me një gjeneratë të re studentësh ekselentë të drejtësisë dhe nga ana tjetër ky analizim student - qeveri nënkupton se Qeveria po përgjigjet me një gjeneratë të re me mjete të vjetra politike. Kam bindjen se studentët do të jenë ata që nëse këtë qëndrim që e shprehën se “ne kërkojmë që provimi i jurisprudencës të mbahet shqip 100%”, ajo nënkupton se detyrimisht duhet realizuar dhe zvarritja nëpër kohë dhe hapësirë për të dëmtuar studentët dhe penguar argumentin juridik, edhe pse në këtë rast, pra legjislacioni nuk ka asnjë dilemë se një proces i tillë lejohet dhe në rend të dytë është vullneti i keq i ligjvënësit gjen kohë dhe hapësirë për të penguar një të drejtë elementare ndryshe nga ajo që kanë mësuar studentët në gjuhën amtare.”, - deklaroi profesori universitar, Bashkim Selmani.
Selmani: Zvarritja, pengesë e barazisë në qasje
Selmani thekson se mënyra se si Qeveria do t'u përgjigjet këtyre kërkesave do të tregojë nëse institucionet janë të gatshme të ecin përpara me pritshmëritë e kësaj gjenerate. Ai vlerëson çdo vonesë të pajustifikuar, që rrezikon të krijojë perceptimin se institucionet po shmangin përgjegjësinë për zgjidhjen e kësaj çështjeje.
“Këtë unë e shoh si pengesë e barazisë në qasje, pra shteti këtu del si penguesi i barazisë në qasje për të shprehur dituritë dhe njohuritë në lëmin e komunikimit akademik dhe profesional, sepse çdo aftësi që shprehin gjeneratat e reja, ajo forcon demokracinë dhe vë në funksion sistemin e shtetit të së drejtës.”, - theksoi profesori universitar, Bashkim Selmani.
Selmani vlerëson se tani i takon Ministrisë së Drejtësisë dhe Qeverisë që të dëshmojnë vullnet konkret për zbatimin e të drejtave gjuhësore dhe për garantimin e barazisë. Zvarritja e mëtejshme, sipas tij, do të rrezikonte të thellonte mosbesimin e studentëve ndaj institucioneve, ndërsa zgjidhja duhet të jetë konkrete, e qartë dhe e zbatueshme. (Rexhep Qamili, TVM2)
