Trendafilova: Specialja po përballet me dezinformata

20.10.2026 17:00

Trendafilova ka deklaruar se gjykata është përballur me dezinformata lidhur me pavarësinë dhe punën e saj...

Kryetarja e Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova, ka deklaruar se gjykata është përballur me dezinformata lidhur me pavarësinë dhe punën e saj. Megjithatë ajo thekson se Dhomat e Specializuara janë institucion i pavarur, ndërsa gjyqtarët e saj janë persona me integritet, të cilët vijnë nga shtetet e Bashkimit Evropian dhe vendet kontribuuese.
 
“Në kundërshtim me dezinformatat për gjykatën, të cilat vazhdojnë të përhapen, Dhomat e Specializuara garantojnë të drejtat për gjykim të drejtë të të akuzuarve në përputhje me standardet e njohura ndërkombëtarisht. Gjykatësit e emëruar në Dhomat e Specializuara janë nga shtetet anëtare të Bashkimit Evropian dhe shtetet kontribuuese. Për t’u kualifikuar si gjykatës në Dhomat e Specializuara të Kosovës, ata duhet të jenë persona me karakter të lartë, moral, paanshmëri dhe integritet, të cilët zotërojnë kualifikimet e kërkuara në shtetet e tyre për emërim në postet më të larta gjyqësore.”, - deklaroi kryetarja e Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova.
 
Trendafilova: Specialja është institucion i pavarur gjyqësor
       
Trendafilova tha gjithashtu se mbikëqyrja e vendimeve gjyqësore kryhet përmes procesit të ankesave, përfshirë panelet e Apelit të Dhomave të Specializuara të Kosovës dhe Panelin e Gjykatës Supreme. Derisa kritikat ndaj vendimeve gjyqësore janë legjitime në një shoqëri demokratike, sundimi i ligjit kërkon që “askush të mos mund t’u diktojë gjykatësve se si ta interpretojnë dhe zbatojnë ligjin”, theksoi Trendafilova.
 
“Kritikat ndaj vendimeve gjyqësore janë legjitime në një shoqëri demokratike. Sundimi i ligjit kërkon që askush të mos mund t’u diktojë gjykatësve se si ta interpretojnë dhe zbatojnë ligjin. Si institucion gjyqësor i pavarur, Dhomat e Specializuara e ushtrojnë mandatin e tyre pa konsiderata, preferenca, ndikime apo ndërhyrje politike.”, - theksoi kryetarja e Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova.
 
Çitaku i reagon Trendafilovës: Specialja e ka cenuar rëndë besimin në drejtësi
 
Trendafilova po ashtu konstaton se Dhomat e Specializuara mbeten të palëkundura në përkushtimin e tyre për të respektuar standardet më të larta ndërkombëtare, ndërsa vazhdojnë punën e besuar atyre në mënyrë të pavarur nga çdo presion i jashtëm, me pritshmërinë që të gjithë aktorët e përfshirë t’i përmbushin detyrimet e tyre përkatëse për të siguruar respektimin e sundimit të ligjit. Ndaj kësaj deklarate ka reaguar sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, e cila ka vlerësuar se nën drejtimin e Trendafilovës, Specialja e ka cenuar rëndë besimin në drejtësi.  
 
“Nën drejtimin tuaj, Specialja e ka cenuar rëndë besimin në drejtësi. Një proces i padrejtë, mungesë transparence, llogaridhënie e pamjaftueshme dhe mangësi serioze në mbikëqyrje. Shqetësimet e ekspertëve ndërkombëtarë për barazinë e palëve, shkeljen e të drejtave të njeriut dhe monitorimin e pavarur kërkojnë përgjigje konkrete. Ju na ofroni deklarata vetëlavdëruese.”, ka shkruar Çitaku. 
 
Sipas saj, pavarësia nuk e vendos gjykatën mbi ligjin, ndërsa prejardhja ndërkombëtare e gjyqtarëve nuk është certifikatë pagabueshmërie.
 
GYLTENE SINANI