Bayern Munich dhe Arsenali, Klasikja evropiane në „Allianz Arena“
21.10.2026 14:40
Bayern Munich do ta presë në stadiumin e vet, „Allianz Arena“, Arsenalin londinez...

Bayern Munich do ta presë në stadiumin e vet, „Allianz Arena“, Arsenalin londinez, finalistin e sezonit të kaluar, në atë që pritet të jetë një nga përballjet më cilësore të mbrëmjes së dytë të xhiros së tretë të Ligës së Kampionëve.
Të dyja skuadrat vijnë në këtë duel pas fitoreve në kampionatet e tyre vendore.
Bavarezët nuk e kanë nisur sezonin e ri të Ligës së Kampionëve në mënyrën më të mirë, edhe pse katër pikë nga dy ndeshje do të ishin një rezultat i mirë për shumicën e klubeve. Por jo për Bayernin, sidomos pasi dy pikë u humbën në përballjen kundër Vikingut. Prandaj, skuadra gjermane kërkon të rikthehet te rezultatet pozitive dhe synon vetëm fitoren. Megjithatë, arritja e saj nuk do të jetë e lehtë, pasi Arsenali është sërish një skuadër e fuqishme këtë sezon dhe synon vetëm trofe.
Në dy xhirot e para, londinezët regjistruan fitore 1:0 ndaj Napolit në transfertë, në një ndeshje ku dominuan plotësisht, ndërsa më pas mposhtën Lilën me rezultatin 3:0. Arsenali e ka të vështirë të pësojë gola, ndërsa Bayerni do të jetë pa Olisen.
Programi sjell edhe disa ndeshje të tjera silwsore në stadiumet evropiane. Real Madridi synon të vazhdojë serinë e fitoreve dhe të barazojë një rekord historik në Ligën e Kampionëve, teksa pret Leipzigun në fazën e ligës. Statistika më mbresëlënëse lidhet me vazhdimësinë në shënimin e golave. Reali ka shënuar në secilën prej 44 ndeshjeve të fundit si vendas në Ligën e Kampionëve, duke barazuar serinë më të gjatë të këtij lloji në historinë e kompeticionit.
Mbrëmja e sotme në Ligën e Kampionëve sjell në fushë edhe Interin. Zikaltrit janë të detyruar të fitojnë për të mbajtur gjallë shpresat e kualifikimit. Interi pret Shakhtar Donetskun me objektivin e qartë për të marrë tri pikët. Skuadra e Cristian Chivut vjen pas dy humbjeve në dy ndeshjet e para të Ligës së Kampionëve, kundër Real Madridit dhe Club Brugge, ndaj një tjetër rezultat negativ do ta vështirësonte ndjeshëm rrugën drejt kualifikimit. (Gazetar: Safet Ademi)
