DAP-i publikoi analizën për 2025, 4-vjeçari merr dividendë 3.1 milionë denarë

21.10.2026 17:34

Milioneri më i ri në vend është një fëmijë katërvjeçar...

Milioneri më i ri në vend është një fëmijë katërvjeçar, i cili ka realizuar të ardhura prej 3,1 milionë denarësh nga dividenda, ndërsa milioneri më i moshuar është një pensionist 97-vjeçar, me të ardhura prej 1.089 milionë denarësh, nga të cilat 59 për qind nga pensioni dhe pjesa tjetër nga dividenda. Këto janë të dhënat e Drejtorisë së të Ardhurave Publike për vitin 2025, e cila i bëri të ditur drejtoresha e këtij institucioni Elena Petrova. Paga më e lartë vjetore bruto ka arritur në 139,1 milionë denarë, ndërsa dividenda më e lartë ka qenë 252,6 milionë denarë. Fitimi më i lartë kapital ka arritur në 164,2 milionë denarë, ndërsa të ardhurat më të larta nga veprimtaria e pavarur kanë qenë 157,9 milionë denarë.
 
“Me kërkesën tuaj, po i theksoj të dhënat për personat që kanë realizuar të ardhura mbi një milion denarë. Personi më i ri që ka realizuar të ardhura të tilla është një fëmijë katërvjeçar i cili ka përfituar nga dividenda e paguar nga një bankë. Ndërsa qytetari më i moshuar që ka realizuar të ardhura mbi një milion denarë është një pensionist, me të ardhura prej 1,1 milion denarësh nga pensioni, i cili nuk është burimi i tij i vetëm i të ardhurave.”, - deklaroi drejtoresha e DAP-it, Elena Petrova.
 
Përfaqësuesit e DAP-it shprehen të kënaqur edhe me nivelin e arkëtimit të të hyrave. Gjatë nëntë muajve të parë të këtij viti janë arkëtuar 1 miliard e 857 milionë euro nga tatimet dhe kontributet.
 
“Sa i përket arkëtimit të tatimeve, në nëntë muajt e parë të këtij viti mund të themi se ai është stabil dhe shënon rritje, në përputhje me dinamikën e planifikuar. Nga janari deri në shtator janë arkëtuar të ardhura tatimore në vlerë prej 1 miliard e 857 milionë eurosh, që paraqet rritje prej 11,5 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Kjo është veçanërisht e rëndësishme, duke pasur parasysh se me planin vjetor është parashikuar rritje e të ardhurave tatimore prej 10,6 për qind. Kjo do të thotë se në nëntë muajt e parë është realizuar një rritje më e lartë se ajo e planifikuar për gjithë vitin.”, - theksoi drejtoresha e DAP-it, Elena Petrova.
 
Sa i përket rimbursimit të TVSh-së, Petrova tha se ai realizohet në vazhdimësi, si pjesë e punës së rregullt të DAP-it. Deri më 30 shtator kompanitë kanë paraqitur kërkesa për rimbursim të TVSh-së në vlerë prej 449 milionë eurosh, ndërsa deri më 20 tetor DAP-i ka arritur të paguajë rreth 517,7 milionë euro. Kjo shumë është 14 për qind më e lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ndërkaq, vitin e kaluar qytetarët kanë dorëzuar mbi 863.100 deklarata tatimore, që është 10,6 për qind më shumë krahasuar me vitin 2024. Numri më i madh i deklaratave është dorëzuar në Shkup, Shtip, Prilep, Manastir, Tetovë dhe Strumicë.
 
REXHEP QAMILI