Të rinjtë, pjesë e vendimmarrjes
21.10.2026 17:33
Në kuadër të Forumit Rajonal për lidershipin lokal për të rinjtë, paqen dhe sigurinë...

Në kuadër të Forumit Rajonal për lidershipin lokal për të rinjtë, paqen dhe sigurinë, pjesëmarrësit theksuan rëndësinë e përfshirjes aktive të të rinjve në proceset vendimmarrëse.
Forcimi i rolit të të rinjve në shoqëri, promovimi i dialogut konstruktiv dhe ndërtimi i besimit të ndërsjellë janë tri synimet kryesore të projektit rinor “Të rinjtë – për barazi, përfshirje dhe besim”, një nismë e mbështetur nga Kombet e Bashkuara. Në kuadër të Forumit Rajonal për lidershipin lokal për të rinjtë, paqen dhe sigurinë, pjesëmarrësit theksuan rëndësinë e përfshirjes aktive të të rinjve në proceset vendimmarrëse. Ata u bënë thirrje komunave që të jenë më të hapura ndaj ideve dhe iniciativave të të rinjve, ndërsa ministritë përkatëse dhe pushtetit qendror që të hartojnë politika të qëndrueshme që adresojnë nevojat dhe sfidat e tyre. Në fokus të forumit është edhe roli i institucioneve lokale në krijimin e mundësive konkrete për pjesëmarrjen e të rinjve në jetën shoqërore.
“Ndërtuam politika për këtë së bashku me të gjitha vetëqeverisjet lokale. Çfarë nënkupton se ligjet për këshillat rinore, qendrat rinore, zyrtarët që janë posaçërisht për të rinjtë pikërisht në vetëqeverisjet lokale, t'i ngremë në një nivel tjetër. Dhe ja, nga periudha që vijon e tutje do të kemi takime intensive rajonale, por edhe lokale me të gjithë kryetarët e komunave në Maqedoni, ku të gjitha këto çështje do të hapen drejtpërdrejt. Do të flasim për buxhetet që ndahen për të rinjtë dhe politikat rinore në vetë komunat, dhe në këtë mënyrë do të krijojmë një sistem për të ndjekur me përpikëri politikat si në nivel qendror, ashtu edhe në atë lokal.”, - deklaroi ministri i Politikës Sociale, Gjoko Velkovski.
Institucionet premntojnë politika rinore të qëndrueshme
Përveç hartimit të politikave dhe sigurimit të mbështetjes institucionale, rëndësi të veçantë ka edhe zbatimi i tyre në praktikë, në mënyrë që të rinjtë të kenë mundësi reale të ndikojnë në vendimet që prekin të ardhmen e tyre. Në këtë drejtim, përfshirja e tyre në proceset lokale dhe krijimi i mekanizmave funksionalë për pjesëmarrje mbeten ndër sfidat kryesore për institucionet.
“Kemi nisur një strategji në të cilën së pari do të fillojmë nga gjërat bazike, gjëra që do të mundësojnë përfshirjen e të rinjve në të gjitha proceset. Diçka që u la pas dore vite më parë. Ka pasur shembuj pozitivë, por fatkeqësisht kanë qenë të pakët në nivel shteti. Ne vërtet kemi një rini të mençur në shtet, të cilën duhet ta orientojmë pozitivisht për të marrë pjesë në të gjitha proceset, duke filluar nga pushteti lokal e deri te ai qendror.”, - theksoi kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski.
Forumi rajonal synon të nxisë bashkëpunimin mes institucioneve dhe të rinjve, si dhe të krijojë hapësirë për shkëmbimin e ideve dhe përvojave që kontribuojnë në ndërtimin e një shoqërie më gjithëpërfshirëse. Mesazhi i përbashkët i pjesëmarrësve është se të rinjtë duhet të kenë një rol aktiv në proceset vendimmarrëse, ndërsa institucionet duhet të dëshmojnë përkushtimin e tyre përmes politikave konkrete, mbështetjes financiare dhe mundësive të barabarta për pjesëmarrje.
FARIJE DAUTI BAKIU
