Protestat në Shqipëri, studentët kërkojnë dorëheqje, Rama ofron dialog

22.10.2026 10:57

Studentë dhe nxënës të shkollave të mesme prej 10 ditësh kanë braktisur mësimin dhe po protestojnë...

Studentë dhe nxënës të shkollave të mesme prej 10 ditësh kanë braktisur mësimin dhe po protestojnë rrugëve të Tiranës, shpesh herë edhe duke u përleshur me policinë me kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. 
 
“Dorëheqje, dorëheqje, dorëheqje.”, - brohorisnin protestuesit në rrugët e Tiranën.
 
Por, Rama refuzon të dorëhiqet, ndërsa prej tre ditësh fton protestuesit të heqin dorë nga dhuna dhe të ulen në dialog. Por, në dy ditët e kaluara protestuesit i shkatërruan dhe dogjën karriget në të cilat Rama simbolikisht vendosi ftesat për dialog. Prandaj në ditën e tretë ai i ka vendosur ftesat në stola guri. Ndërsa nga vetura me të cilën po udhëtonte për në Budva për të marrë pjesë në Samitin e Procesit të Berlinit Rama sërish ka kritikuar protestuesit për dhunën ndaj policisë, ndërsa ka arsyetuar reagimin e policisë, e cila në disa raste ka përdorur dhunë ndaj protestuesve.
 
“Policia u qëllua me gurë dhe me zjarr, e me lloj-lloj saçmesh e vidash me llastiqet nga ato primitive dhe reagoi me gaz lotsjellës dhe e me ujë e në ndonjë rast edhe me shkop dhe plumb gome, mjete të çdo policie në çdo vend demokratik. Dhe kur policët e plagosur janë më shumë se dyfishi i protestuesve të plagosur, ndryshe nga të gjitha vendet ku ka ndodhur dhe ndodhë këto ditë diçka e ngjashme, çdo pretendim për dhunë nga policia mbi studentët është djallëzore.”, - deklaroi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
 
E megjithëse protestuesit brohorasin Rama në burg, Berisha në burg, kreu i Partisë Demkoratike, Sali Berisha, ka dal në mbështetje të protestës dhe i është bashkangjitur kërkesës së tyre për dorëheqjen e kryeministrit Rama.
 
“Zgjidhja për të qetësuar tensionet, zgjidhja për të kthyer stabilitetin dhe normalitetin në vend, zgjidhja për të kthyer rendin dhe sigurinë, zgjidhja për ta shpëtuar Shqipërinë është një dhe vetëm një dhe në këtë pikë nuk është dialogu, zgjidhja është Rama jep dorëheqjen.”, - kryetari i PD-së, Sali Berisha.
 
Në këto rrethana kur protestuesit dhe opozita refuzojnë dialogun dhe insistojnë në dorëheqjen e kryeministrit Rama, ndërsa ky i fundit insiston për dialog, zgjidhja nuk duket e afërt. Kjo nënkupton se do të vazhdojnë protestat në rrugët e Tiranës, por edhe në qytete tjera të Shqipërisë. Në këto rrethana askush me saktësi nuk e di epilogun e situatës aktuale në Shqipëri.  

NAIM SINANI