Maqedoni
VLEN: Përgjegjësia për rrethin e dytë në Bërvenicë e BDI-së
22.10.2026 11:15
Subjekti shqiptar në pushtet VLEN ka kritikuar vokabularin e këtyre ditëve të opozitës...

Subjekti shqiptar në pushtet VLEN ka kritikuar vokabularin e këtyre ditëve të opozitës, i cili, siç kanë thënë nga VLEN, nuk i shërben unifikimit të votës shqiptare në Komunën e Bërvenicës, ku në rreth të dytë do të garojnë kandidati i AKI-së, Arkin Jahiu, dhe kandidati nga koalicioni “Maqedonia jote”, i kryesuar nga VMRO-DPMNE, Stojanço Radiqevski.
Nga VLEN theksojnë se: “Banorët e Bërvenicës folën më 18 tetor dhe ne e respektojmë këtë vendim. Që në përmbyllje të votimit, kandidati ynë Jakup Huseini, bashkë me shtabin lokal, ia uruan fitoren Arkin Jahijit dhe i ofruan mbështetje për rrethin e dytë. Tani përgjegjësia është te Arkin Jahiji dhe koalicioni i tij që të mobilizojë votuesit për rrethin e dytë të zgjedhjeve lokale. Megjithatë, konsiderojmë se vokabulari i opozitës këto ditë nuk i shërben unifikimit. Fjalori nxitës dhe përçarës, sulmet ndaj kandidatit tonë përkundër konstruktivitetit të tij, ka për qëllim të arrijë efektin e kundërt. Nuk kemi ndërmend të bëhemi pjesë e lojërave të pista në kurriz të banorëve të Bërvenicës. Votuesit tanë janë të orientuar që natën e zgjedhjeve pro unitetit dhe pro kandidatit shqiptar. Çdo përfshirje e Bërvenicës në pazare politike, siç e ka dëshmuar BDI-ja në të kaluarën, do të jetë tradhti ndaj votuesve të tyre dhe çdo qytetari të Bërvenicës.”, - theksojnë nga VLEN.
