Kuvend, Këshilli Gjyqësor paraqet raportet për vitin 2025

22.10.2026 15:17

Komisioni Parlamentar për Sistem Politik dhe Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive miratoi raportet e Këshillit Gjyqësor..

Komisioni Parlamentar për Sistem Politik dhe Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive miratoi raportet e Këshillit Gjyqësor për realizimin e buxhetit, si dhe raportin vjetor për punën e Këshillit Gjyqësor për vitin 2025. Paraprakisht, para votimit të raporteve, deputeti Rijad Shaqiri reagoi për gabimet e shumta drejtshkrimore në gjuhën shqipe të evidentuara në raporte. Ai  kërkoi që gabimet të korrigjohen dhe më pas raportet të votohen.
 
“Unë si shqiptar do të reagoj dhe kam reaguar edhe më parë. Nëse dikush do të më dorëzonte një raport të tillë në gjuhën maqedonase, i cili nuk ka asnjë bazë, do të reagoja. Ju e dini se çfarë do të thotë një përkthim i tillë, ku mund të jetë gabuar qoftë edhe një pikë apo presje. Në këtë mënyrë  ju dorëzoni një raport në gjuhën shqipe që është turp për njerëzit që e flasin këtë gjuhë, turp për institucionin, ndërsa ne këtu dëgjojmë dhe nuk reagojmë. Nuk mendoj se ky raport duhet të kalojë në këtë komision dhe kërkoj solidarizimin e të gjithë kolegëve lidhur me atë që na është prezantuar.”, - deklaroi deputeti i ASh-së, Rijad Shaqiri.
 
Sipas kryetarit të Këshillit Gjyqësor, Aleksandar Kambovski, nga 639 vende të parapara për gjyqtarë, deri më 31 dhjetor 2025 ishin plotësuar 418 ose 65 për qind. Ndërkaq nga 4.751 vende të sistematizuara për shërbimin gjyqësor ishin plotësuar vetëm 
 
“Pajtohem plotësisht me ju. Është vërtet e papërshtatshme që një institucion si Këshilli Gjyqësor të dorëzojë një raport me gabime të tilla në pjesën e përkthyer në gjuhën shqipe. Megjithatë më dëgjuat mirë kur e arsyetova raportin, se thash se ne kemi probleme të mëdha me burimet njerëzore. Këshilli Gjyqësor nuk ka përkthyes të autorizuar nga gjuha maqedonase në gjuhën shqipe. Gjatë dhjetë viteve të fundit, Këshilli Gjyqësor ka kërkuar miratim për punësimin e një përkthyesi. Kur gjyqësori dhe institucionet e tilla nuk financohen mjaftueshëm, ndodhin edhe lëshime të këtilla.”, - theksoi kryetari i Këshillit Gjyqësor, Aleksandar Kambovski.
 
Deputetët e opozitës kërkuan që Kuvendi t’i bëjë thirrje pushtetit ekzekutiv të mos ndërhyjë në punën dhe financimin e gjyqësorit, ndërsa deputetët e pushtetit kërkuan solidaritet nga kolegët për rritjen e buxhetit dhe kapaciteteve njerëzore në sistemin gjyqësor.
 
“Pra, Kuvendi duhet t’i kërkojë pushtetit ekzekutiv t’i largojë duart nga gjyqësori dhe të ndalojë shkurtimin e buxhetit të gjithë sistemit gjyqësor. Përkundrazi, duhet të lejojë që gjyqësori t’i marrë mjetet financiare që i takojnë me ligj dhe vetë sistemi gjyqësor t’i shpërndajë ato dhe të vendosë se për çfarë ka nevojë, pa pasur nevojë për miratim të mëtejshëm nga ministri i Financave për çdo punësim të ardhshëm.”, - theksoi deputetja e PRSD-së, Sonja Mirakovska.
 
“Duhet të them se raporti përmban një element objektiv, e ky është nevoja për mjete shtesë financiare dhe burime njerëzore. Mendoj se kjo do të ndihmojë shumë në rritjen e kapaciteteve të gjykatave për zgjidhjen e problemeve të të gjithë qytetarëve, pavarësisht nëse dikush ka një lëndë në Krushevë, Berovë, Strumicë, Veles, Kumanovë apo Shkup.”, - u shpreh deputeti i VMRO-DPMNE-së, Antonio Milloshevski.
 
Komisioni për Sistem Politik dhe Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive tani më do të dërgojë në procedurë të mëtejshme parlamentare raportet e Këshillit të Buxhetit Gjyqësor për realizimin e Buxhetit Gjyqësor për vitin 2025, si dhe raportin vjetor për punën e Këshillit Gjyqësor për vitin 2025. Sipas kryetarit të komisionit, Lupço Prenxhov, një vlerë e shtuar e seancës këtë vit ishte prania dhe ndjekja e debatit publik nga përfaqësues të organizatave joqeveritare.
 
REXHEP QAMILI