Samiti i Procesit të Berlinit në Mal të Zi, Mickoski kërkon avancim të integrimit evropian
22.10.2026 15:24
Mickoski pret mesazhe të fuqishme për integrimin...

Kryeministri Hristijan Mickoski pret mesazhe të fuqishme për integrimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, si dhe diskutime përmbajtjesore e rezultate konkrete nga Samiti i sotëm i Procesit të Berlinit në Mal të Zi. Sipas tij, Maqedonia e Veriut prej kohësh e meriton të jetë pjesë e Bashkimit Evropian, por për shkak të pengesave artificiale ende nuk ka mundur të nisë negociatat e anëtarësimit, duke theksuar se Qeveria do të vazhdojë angazhimin për reformat dhe integrimin evropian të vendit.
“Dosja e Maqedonisë është shumë komplekse. Ne e kemi merituar prej kohësh të jemi pjesë e BE-së, por, për fat të keq, për shkak të disa arsyeve artificiale, ende nuk jemi në gjendje të fillojmë negociatat. Ne do të angazhohemi fuqishëm në agjendën reformuese të BE-së dhe integrimit evropian, duke treguar se Qeveria do të vazhdojë të veprojë në atë drejtim në të ardhmen.”, - deklaroi kryeministri i RMV-së, Hristijan Mickoski.
Kancelari Gjerman Friedrich Merz, në fjalimin e tij theksoi se integrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor është i mundur, por varet nga përkushtimi i tyre.
“Procesi i Integrimit në BE është i mundur si për Malin e Zi, ashtu edhe për të gjitha vendet tjera, por kjo varet shumë nga përkushtimi i secilit vend, por me rëndësi është se në fund të rrugëtimit ky mund që keni bërë do të shpaguhet. Ky rajon po ndryshon, edhe atë nga brendësia, dhe ky është themeli i Procesit të Berlinit. Ky rajon nuk duhet të shikojë në të kaluarën, por të shikojë drejt së ardhmes.”, - theksoi kancelari i Gjermanisë, Friedrich Merz.
Në këtë Samit pjesëmarrës janë edhe kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama dhe ai i Kovës, Albin Kurti.
“Në fakt, i vetmi vend ku ke gjithmonë helikopter mbi kokë sa herë që vjen. Ndërkohë, ndjehem mirë që jemi këtu sërish për “Procesin e Berlinit”. Një ritual i përvitshëm këtë vit po zhvillohet në këtë vend të jashtëzakonshëm. Dhe çfarë duhet të them më shumë? Jam këtu dhe i lumtur të vazhdoj me miqtë që janë në pritje.”, - u shpreh kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Ndërsa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është deklaruar para mediave se Kosova ka funksionalitet demokratik, stabilitet institucional, rritje ekonomike, si dhe vëmendje të pashkëputur.
“Tani është koha që vendi ynë të marrë statusin e kandidatit dhe të hapë negociatat për hyrjen në BE. Mu për këtë do të bëj thirrje sot dhe çdo ditë, kundrejt çdo lideri të BE-së, që të kërkojnë opinion nga Komisioni Evropian për këtë çështje.”, - theksoi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Samiti po ashtu u ndal edhe te sfidat aktuale globale, duke përfshirë luftën në Ukrainë, luftën me Iranin, krizën në tregjet financiare dhe protestat në të gjithë Evropën.
FITIM KRYEZIU
