Risitë në Ligjin për nëpunësit administrativë, dy vlerësime negative, rrezik për vendin e punës
23.10.2026 17:54
A mjaftojnë ndëshkimet për të rritur cilësinë?

Nota më e ulët në vlerësimin e punës, e marrë për dy vite radhazi, mund t’u kushtojë nëpunësve administrativë humbja e vendit të punës. Kjo është një nga risitë e ndryshimeve të fundit në Ligjin për nëpunësit administrativë, të miratuara në Kuvend me procedurë të shkurtuar. Por, a mjaftojnë ndëshkimet për të rritur cilësinë dhe efikasitetin e administratës?
Profesori universitar Argëtim Saliu për TVM2 vlerëson se ndryshimet janë një hap i përshpejtuar, që mund të lërë hapësirë për ndikime politike dhe partiake. Sipas tij, përmirësimi i administratës kërkon para së gjithash investime në kushte pune, trajnim dhe teknologji dhe më pas me ndëshkime.
“Nëpunësit administrativë, çdo i punësuar në shtet, duhet ta ushtrojë detyrën e tij në mënyrën më profesionale dhe më efikase. Por, prapëseprapë, me këto ndryshime ligjore jepet një shteg, një boshllëk i hapur për ndikime. Cilësia nuk rritet me ndëshkime. Cilësia në administratë rritet fillimisht me përmirësimin e kushteve të punës për nëpunësit administrativë, me trajnimin e tyre, me seminare dhe me plotësimin e të gjitha kushteve të nevojshme për punë, siç janë vendet dhe objektet e punës, zyrat. Pra, shteti duhet të investojë në teknologji më të reja dhe më të avancuara për administratorët, e jo që një printer të shfrytëzohet nga një departament i tërë apo nga një kat brenda një ministrie dhe administratorët të presin në radhë për të printuar një fletë.”, - deklaroi për TVM2 profesori universitar, Argëtim Saliu.
Qytetarët presin “zgjimin” e administratës
Qytetarët kanë qëndrime të ndryshme për efikasitetin e administratës, por një pjesë e tyre shpresojnë se ndryshimet ligjore do t’u japin fund rehatisë së nëpunësve që nuk i kryejnë detyrat me efikasitet. Derisa disa presin përmirësim të shërbimeve, të tjerë theksojnë problemet me lidhjet familjare dhe partiake, mungesën e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve dhe pritjet e gjata nëpër sportele.
“Do t’ua lëkundë pak karrigen, e dini, sepse disa janë rehatuar dhe tani me ligjin e ri do të duhet të lëvizin pak. Jam pjesërisht i kënaqur me administratorët, përkatësisht jam i kënaqur me 70 për qind të punës së tyre. Më së shumti jam i kënaqur me shërbimet komunale dhe me sistemin me një sportel në disa institucione. Ajo ku duhet të ndërmerret diçka është në fushën e MPB-së. Për shembull, që një certifikatë lindjeje të mund të merret menjëherë si në Kosovë, për një euro, ndërsa te ne pritet katër ditë.”, - tha një qytetar për TVM2.
“Aspak nuk jam i kënaqur me shërbimet. Problemi më i madh janë lidhjet familjare dhe partiake në administratë. Më i kënaqur kam dalë me shërbimet e Avokatit të Popullit, ndërsa jam i pakënaqur me shërbimet e administratës shtetërore.”, - tha një qytetar tjetër për TVM2.
“Nuk jam aspak i kënaqur. Sipas meje, institucionet nuk kanë fare bashkëpunim mes vete dhe shërbimet nuk i kryejnë siç duhet deri në fund. Për shembull, kur shkon të paguash diçka në sportel, pret shumë. Faturat i paguaj në postë, disa i kanë arkëtuar, ndërsa të tjerat nuk figurojnë. Pastaj më vijnë fatura të dyfishta.”, - u shpreh një qytetar për TVM2.
Me ndryshimet e fundit ligjore parashikohet një pasojë e qartë juridike për nëpunësit që vazhdimisht marrin vlerësimin më të ulët për dy vite radhazi. Ndërprerja e marrëdhënies së punës do të bëhet sipas fuqisë së ligjit. Qëllimi i zgjidhjes së re është forcimi i përgjegjësisë në administratë dhe sigurimi i funksionimit më efikas të institucioneve. Ndryshimet parashikojnë edhe shfuqizimin e mundësisë së avancimit pa shpalljen e konkursit të brendshëm, me qëllim që të sigurohen mundësi të barabarta për të gjithë nëpunësit administrativë dhe zbatimi i vazhdueshëm i sistemit të meritave.
REXHEP QAMILI
